×
  • Lajme
  • Lajme

    MSH njofton se në ora 11:00 vendoset nëse do të ketë shtrëngim të masave anti-COVID

    Reporteri
    04 Mars 2021 | 8:54

    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot në orën 11:00 do të mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19


    Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSH ka bërë dije se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    “Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.

    Burime të Gazetës Online “Reporteri.net”, bëjnë të ditur se pritet që të rekomandohen masa të reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit SARS-CoV-2.

    Kujtojmë se që nga përfundimi i fushatës elektorale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, rastet pozitive dhe ato me vdekje si pasojë e coronavirusit kanë shënuar rritje, shkruan Reporteri.net.

    Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, vetëm të mërkuren kanë humbur jetën katër pacientë të infektuar me coronavirus, teksa janë konfirmuar edhe 568 raste të reja pozitive.

    Që nga fillimi i pandemisë, 70 mijë e 753 persona kanë rezultuar pozitivë në testimet për virusin SARS-CoV-2, ndërkaq kanë vdekur 1 mijë e 620 persona.

    Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 295 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 60.628 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.505. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!