“Nesër do të prejmë shqiptarë” – Rashiq publikon mesazhet që i paraprinë sulmit ndaj djalit të tij

Politikani serb, Nenad Rashiq në një konferencë për media ka folur për sulmin që u bë dje ndaj djalit të tij Nikollës.


Rashiq ka thënë se rasti është duke u hetuar dhe në proces tashmë janë të kyçura të gjitha organet kompetente, shkruan Reporteri.net.

“Kanë qenë dy ditë shumë të rënda për mua dhe familjen. Duhet të them që rasti është nën kontroll dhe të gjitha organet kompetente janë të kyçura në proces. Dëshiroj që rasti të zgjidhet sa më parë. Djalit tim i janë thyer tre dhëmbë, prokurori i ka kualifikuar lëndimet si lëndime të rënda trupore”, ka thënë Rashiq.

Politikani serb ka publikuar edhe disa prova që ai thotë se i kanë paraprirë sulmit ndaj djalit të tij. Ai rrëfen se një ditë para sulmit në rrjetet sociale ishte krijuar një grup, ku publikoheshin mesazhe kërcënuese.

Në njërin mesazh thuhej: “Do të prejmë shqiptarë”.

“Një grup të rinjësh kanë publikuar në Facebook disa postime ku ndër të tjera thuhet: “Do të prejmë koka të shqiptarëve”. Në ditën e dijshme po ai djali që bëri këto postime, kur i është drejtuar djalit tim, e ka bërë me një fjalor të rëndë, e ka sha nënën shqiptare. Bazuar në këto unë nuk mund të jem plotësisht objektiv, por si njeri mund të them se është planifikuar që djali im do të jetë viktima. Sulmi nga 30 ose 50 të rinj, kishte në mesin e tyre edhe të tillë që shumë vite më parë kishin kryer shkollën. Ishin të armatosur me boksera dhe thika. Ekziston dyshimi i imi personal dhe politikanët me deklarata të papërgjegjshme kanë ndikuar në acarimin e mëtutjeshëm të kësaj gjendje”, ka shtuar Rashiq. /Reporteri.net