×
  • Lajme
  • Lajme

    Nis Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Reporteri
    22 Tetor 2022 | 9:46

    Me iniciativë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë sot nisi punimet Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të grumbullojë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.

    Përgjatë dy ditëve sa do të zgjasë ky Forum, folës, panelistë e diskutues të tjerë do të debatojnë në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

    Panielistëve do tu drejtohet përmes një video fjalimi edhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se temë e këtij forumi do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme.

    “Temë e edicionit të parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të jetë ndërtimi i aleancave për paqe të qëndrueshme, me të cilën synojmë të reflektojmë mbi sukseset si dhe sfidat e agjendës të Rezolutës 13/25”, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është edhe platformë për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojë për të njohur dhe promovuar aftësitë e grave e vajzave, për të kontribuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes dhe të sigurisë.

    Hapjen zyrtare të Forumit ndërkombëtar do ta bëjë presidentja Vjosa Osmani, e cila do të pasohet me një video mesazh nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

    Në hapjen e Forumit, në panelin e parë, përpos presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti do të marrin pjesë edhe: presidenti i Maltës, George Wella, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, zv.kryeministrja, njëherësh ministre për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Jovana Marović dhe zëvendëspresidentja e Palaut, J. Uduch Sengebau.

    Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!