×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani i kërkon ndihmë presidentit gjerman për t’i siguruar Kosovës njohje të reja

    Reporteri
    15 Shtator 2021 | 7:12

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë detaje rreth takimit të sotëm me homologun gjerman Frank-Walter Steinmeier.


    Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se raportet ndërmjet dy shteteve kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

    “Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë”, shkruan Osmani.

    Postimi i plotë:

    Në një pritje të shkëlqyeshme dhe takim përmbajtësor me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier diskutuam për raportet ndërmjet dy vendeve tona, të cilat kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike.

    Në takim e falënderova Presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në ditë të mira dhe ato të vështira e në veçanti për mbështetjen drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë. Theksova nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave për qytetarët tanë.

    Diskutuam sot për tema të ndryshme e në fokus ishte po ashtu bashkëpunimi për rritjen e investimeve të huaja gjermane. Tutje, diskutuam edhe për angazhimin e Kosovës në fushën e bashkëpunimit rajonal, si dhe interesimin për nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme bilaterale me Gjermaninë.Duke diskutuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, theksova se Procesi i Berlinit ka qenë shtysë e fuqishme në këtë drejtim.

    Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.Mirënjohëse pafund për fjalët inkurajuese dhe bisedën konstruktive e tejet premtuese!.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!