×
  • Lajme
  • Lajme / Sot

    Osmani: Secili që beson në demokraci dhe të drejtat e njerëzve do të votojë pro Kosovës në KiE

    Reporteri
    16 Prill 2024 | 13:11

    Sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në rend dite është edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, shkruan Reporteri.net.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një postim të bërë në platformën “X” ka thënë se kushdo që beson në një të ardhme që mbështet vlerat e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut do të votojë pro Kosovës për anëtarësim në KiE.

    “Sot, anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u jepet mundësia të dërgojnë një mesazh të fuqishëm se Evropa qëndron e fortë në përkushtimin e saj ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut! Secili që beson vërtet në një të ardhme që mbështet këto vlera do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Osmani.

    Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës./Reporteri.net/.

    Asambleja Parlamentare voton sot raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!