×
  • Lajme
  • Lajme / Teksas

    Osmani në eventin e MCC ku prezent ishte edhe George W. Bush: SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të Kosovës

    Reporteri
    07 Maj 2024 | 11:33

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se “SHBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë”.

    Këtë deklaratë, Osmani e ka thënë në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në prag të Samitit SHBA-Afrikë.

    Osmani, në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë, gjatë vizitës zyrtare në Teksas të SHBA-së,  ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset e në të cilat SHBA-të kanë luajtur një rol vendimtar, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Në këtë event ku pjesëmarrës ka qenë edhe ish-presidenti amerikan George Bush, njëherit themelues i MCC-së, Osmani ka folur për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke përmendur rolin e pakontestueshëm të SHBA-së në këtë rrugëtim

    Aty u diskutua për sukseset 20 vjeçare të punës transformuese të MCC-së.

    “Presidentja Osmani bëri një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së.

    Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar se: “SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet MCC-së dhe Kosovës simbolizon progresin, ambicien dhe vizionin e përbashkët për demokraci dhe të ardhme të qëndrueshme”, bëhet e ditur në njoftim.

    Sipas Presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit.

    Në adresimin e saj, Presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas Presidentes Osmani, ka rezultate të jashtëzakonshme nga partneriteti me MCC-në, i cili ka ndihmuar që zhvillimi jo vetëm i këtij sektori, të shkojë në drejtimin e duhur.

    “Projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti ynë me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme”, ka theksuar Presidentja Osmani.

    Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar se me pjesëmarrjen në këtë Samit, si dhe me ndihmën e MCC-së në vazhdimësi, janë krijuar mundësi për t`i prezantuar të arriturat e Kosovës ndër vite, por edhe për të filluar partneritetin me shtetet afrikane. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!