×
Intervista

Pal Lekaj: Qeveria Kurti, më e dobëta që nga paslufta

Autor:Blendi Gashi
03 Tetor 2022 | 10:28

Nuk pret që të arrihet një marrëveshje finale Kosovë-Serbi me Qeverinë aktuale, pasi thotë se me ardhjen e Albin Kurtit si kryeministër dialogu u kthye në teknik, derisa gjatë Qeverisë Haradinaj ishte në politik dhe flitej për njohje reciproke. Kur është në pyetje përballja me Serbinë, tregon se partia e tij, AAK-ja e mbështet kryeministrin. Kështu thotë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, i cili pohon se marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke, dhe roli amerikan të jetë udhëheqës.

Deputeti Lekaj adreson kritika ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se është më e dobëta nga paslufta, dhe sipas tij qytetarët kanë mbetur në mëshirë të fatit për shkak të mosveprimit të ekzekutivit.

Lekaj në këtë intervistë flet edhe për temën e Asociacionit, projektligjin për konfiskimin e pasurisë, grevën në arsim, dhe çështje tjera.

Mëposhtë mund ta lexoni intervistën e plotë me deputetin e AAK-së, Pal Lekaj, dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net: 

A pritni që gjatë Qeverisë Kurti të arrihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi?

Gjatë kohës së Qeverisë Haradinaj, patëm arritur që në tavolinën e bisedimeve të rikthehet roli amerikan. Sigurisht se kjo meritë i takon kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili me këmbëngulësi kërkonte rolin aktiv amerikan në bisedime. Fatkeqësisht, me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, ndër vendimet e para ishte largimi i taksës, me çka Kosovën e dobësoi si palë negociuese. Nga një dialog politik ku flitet për njohje reciproke u shndërrua në dialog teknik ku flitet për marrëveshje të cilat tanimë janë nënshkruar, i takonte Qeverisë vetëm t’i zbatojë ato.

Unë dyshoj që me këtë qasje, Kurti mund ta finalizojë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Sigurisht, se kur është në pyetje përballja me Serbinë ne e mbështesim Kurtin, por me kusht që në marrëveshjen finale e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke, roli amerikan të jetë rol udhëheqës.

Çfarë prisni të ndodhë me Asociacionin?

Sa i përket formimit të Asociacionit, ne si AAK përkrahim formimin e tij vetëm me kusht respektohet Kushtetuta e vendit. Pra, një Asociacion pa kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë formë e mbështet edhe aleati ynë kyç, ShBA-ja. Andaj, sa i përket kësaj teme Qeverisë i takon vetëm ta respektojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.

A ka arritur ndonjë sukses Qeveria Kurti sipas jush?

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, nuk kemi pasur krizë më të madhe ekonomike se sa kjo që po kalojmë tash. Qytetarët po përballen me rritje enorme të çmimeve, investimet kapitale janë në nivelin më të ulët që kanë qenë ndonjëherë e Qeveria po sillet vetëm si spektatore dhe pa ide konkrete për zgjidhje të problemeve.

E kam thënë edhe më parë, kjo është Qeveria më e dobët ndonjëherë që nga paslufta. Në këtë situatë që ndodhemi, qytetaret janë lënë në mëshirë të fatit për shkak të mungesës së veprimeve. Po shihet qartë një qasje arrogante e Qeverisë kundrejt çdokujt që mendon ndryshe. Kujtojmë që kjo qeveri ka marrë besimin e 50% qytetarëve, të cilët kanë votuar për ndryshim.

Deri më tani po shohim që ndryshimi i vetëm është vështirësimi i jetës për secilin qytetar. Pra, kemi rritje enorme të inflacionit, rritje të kërkesës për ikje nga vendi, krizë të paparë me energji. Ligji i Pagave nuk është askund! Edhe nëse ndalemi e analizojmë vërtetë nuk mund ta dallojmë ndonjë sukses, përpos kapjes së çdo bordi dhe institucioni të pavarur dhe ndaljen e tërësishme të investimeve publike.

Keni deklaruar me parë se ligji për konfiskimin e pasurisë ka prapavijë politike? Ku e bazoni këtë?

Sipas këtij projektligji, Byroja planifikohet të udhëhiqet nga drejtori menaxhues i saj, i cili ka kompetencën e plotë për të vendosur inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë.

Si e tillë, kjo Byro rrezikon që të mos jetë e pavarur dhe të shndërrohet në një mekanizëm të partisë në pushtet për të arritur qëllime të caktuara.

Projektligji shkelë parimet universale të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe cenon sistemin prokurorial.

Verdikti i Komisionit te Venecias e thotë qartë që propozimi i qeverisë ka të meta të mëdha që cenojne sigurinë juridike, cenojnë sistemin aktual, cenon të drejtat dhe liritë themelore dhe si i tillë bie ndesh me Kushtetutën.

Ky projektligj në formën që na është prezantuar është nën standardet ligjore, e si i tillë edhe nëse miratohet do të hidhet poshtë nga Gjykata Kushtetuese.

Greva në arsim është pezulluar deri në janar. A pritni që Qeveria t’i plotësojë kërkesat e tyre dhe të mos rrezikohet sërish procesi mësimor?

Fatkeqësisht mësimdhënësit janë keqtrajtuar nga kjo Qeveri. E dimë se sa ishin në opozitë, të njëjtit proklamonin rritje të të drejtave dhe mirëqenies së tyre ndërkaq me ardhjen në pushtet jo që nuk përmbushën premtimet e tyre por me arrogancë dhe linqime u bënin çmos t’i nënshtronin sindikalistët. Vlerësoj se kërkesat e tyre janë minimale dhe lehtë të plotësueshme, andaj në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton as pas kësaj situate të re të krijuar, natyrisht që një grevë e re në janar është shumë e kuptueshme.

Dy deputetë të Vetëvendosjes janë ulur javën që shkoi tek karriget nga ana juaj në Kuvend. A ka gjasa të kalojnë në AAK?

Nuk me takon mua që t’i komentoj veprimet e tyre. Tanimë pakënaqësitë e tyre me Qeverinë dhe veprimet e partisë që i takojnë dihen. Sigurisht se në të kaluarën ka ndodhur që shumë figura të respektuara nga subjektet e tjera t’i bashkohen Aleancës, ashtu siç janë të mirëpritur edhe tani, por se momentin për nuk mund të komentoj më shumë në lidhje me këtë temë.

Kurdo që mbahen zgjedhjet nacionale, në çfarë përqindje e shihni AAK-në dhe a pritni të jeni pjesë e Qeverisë së ardhshme?

AAK në çdo matje të opinionit publik po dëshmohet si një parti stabile. Shohim se në çdo sondazh, vërehet një trend të rritjes së mbështetjes. Së fundi, kemi përfunduar kemi përfunduar zgjedhjet e brendshme ku janë zgjedhur organet e reja udhëheqëse në çdo nivel të organizimit dhe me potencialin njerëzor që ka. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!