Për dhe kundër huazimit të qelive për Danimarkën

Një Qendër e Paraburgimit që gjendet në Fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, pritet të jetë vendi ku 300 të burgosur nga Danimarka do të vendosen së paku për 10 vjetët e ardhshëm.

Kosova dhe Danimarka janë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, sipas së cilës, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

Për këtë huazim, sipas marrëveshjes që kanë paralajmëruar të dyja shtetet, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro në dekadën e ardhshme.

Kostoja e shtetit të Kosovës për një të burgosur në ditë thuhet të jetë rreth 28 euro, përkatësisht 10 mijë euro në vit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, “të dënuarit, të cilët do të transferohen [nga Danimarka] në këtë institucion, nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë”.

“Nga ky kompensim [i Danimarkës] do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ku do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi”, tha Ministria e Drejtësisë në një deklaratë të lëshuar më 16 dhjetor.

Sipas saj, paratë e fituara nga marrëveshja me shtetin danez do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile që merren me monitorimin e Shërbimit Korrektues në Kosovë, kritikojnë, siç thonë, mostransparencën gjatë arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe thonë se janë të shqetësuar me efektet që mund t’i ketë në të drejtat e të burgosurve lokalë.

Ekspertë të sigurisë, në anën tjetër, nuk e shohin marrëveshjen si problematike në aspektin e sigurisë.

Fakti që Danimarka ka zgjedhur Kosovën si vend ku do t’i nisë të burgosurit e saj, sipas Qeverisë së Kosovës, do të thotë vlerësim për mënyrën se si Kosova i trajton të burgosurit e vet.

Sipas të dhënave të Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës, Kosova ka pasur 1,642 të burgosur në vitin 2020, që do të thotë se 97 për qind të kapaciteteve të saj i ka pasur të mbushura.

Fatmire Haliti, përgjegjëse në monitorimin e Shërbimit Korrektues nga organizata Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, thotë se ka rezerva sa i përket marrëveshjes që pritet me Danimarkën.

“Nuk kemi qenë as të njoftuar e as palë të diskutimeve. Kjo marrëveshje është mbajtur diskrete deri më tani”, thotë ajo.

Haliti shpreh shqetësimin se ardhja e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, do të ndikojë në standardin e të burgosurve lokalë.

Sipas saj, brengosës është fakti se rreth 200 të burgosur që gjenden momentalisht në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, do të barten në burgje të tjera. Në këtë mënyrë, shton ajo, do të krijohet mbipopullim dhe të burgosurit do të largohen potencialisht edhe nga familjet e tyre.

“Në Kosovë ka familje në kushte të rënda ekonomike, ku në disa raste të burgosurit kalojnë me muaj pa u vizituar nga familjet, pikërisht për shkak të largësisë që e kanë”, thotë Haliti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, do të ishte po ashtu e padrejtë për të burgosurit lokalë në Kosovë, nëse të burgosurve danezë u ofrohen kushte të standardit të Danimarkës, derisa kushtet për të tjerët mbeten të njëjta.

Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Danimarkës, në parim, është e mirë dhe ndikon pozitivisht në imazhin e Kosovës sa i përket trajtimit të burgosurve, thotë Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Jo domosdoshmërisht [në Kosovë] ka pasur shumë incidente sa i përket ikjes nga burgjet, siguria është mjaft e mirë. Në aspektin e sigurisë nuk paraqesin ndonjë rrezik”, thekson ai.

Sipas Vrajollit, fakti se të burgosurit nuk do të jenë në kategorinë e të dënuarve për terrorizëm apo vepra të tjera që përkthehen në rrezik të lartë, duhet të jetë garanci e mjaftueshme sa i përket sigurisë në vend.

Vrajolli, madje, thotë se investimi apo kompensimi që Danimarka ia bën Kosovës në këtë rast, mund të ndikojë edhe në përmirësimin e kushteve dhe të sigurisë në qendrat korrektuese në Kosovë.

Me gjithë lëvdatat, raportet lokale dhe ndërkombëtare në lidhje me burgjet në Kosovë kanë theksuar sfida dhe probleme sa i përket trajtimit të të burgosurve.

Vetëm gjatë vitit 2020, sipas raportit të Departamentit të Shëndetësisë në Burgje, u shënuan dhjetë vdekje nëpër burgje. Tre prej të vdekurve që kishin sëmundje të rënda, ishin po ashtu pozitivë me koronavirus.

Ish-burgu i Prishtinës. Ky burg është ndërtuar më 1951 dhe është përdorur për të mbajtur të burgosur politikë kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, ndërsa është mbyllur më 2016 për shkak të ankesave të vazhdueshme për kushte të këqija, për t’u shndërruar në muze.

“Deri në shtator (2020), Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) pranoi 14 raporte mjekësore për lëndime të të burgosurve nga dhuna në mes të të burgosurve, si dhe lëndime për të cilat të burgosurit pretendojnë se u shkaktuan nga dhuna e zyrtarëve të burgut”, është thënë në raport.

Deri më tani, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë për huazimin e qelive të burgut.