×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria nis hetim për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës – Ish’ministrja e Integrimeve dyshohet se jashtëligjshëm u ndau para të shtetit dy OJQ’ve

    Reporteri
    09 Tetor 2020 | 15:09

    Autor: Blendi Gashi 


    Një hetim penal për dyshime për korrupsion ka nisur një prokuror i Shtetit ndaj ish-Ministres së PDK’së për Integrime, Dhurata Hoxha. Ajo po hetohet se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare, në mënyrë që nëpërmjet ministrisë që e drejtonte gjatë Qeverisë së PAN’it, dy OJQ të përfitojnë nga 10 mijë Euro secila, pa u përfillur procedurat dhe ndesh me ligjin.


    Dikur Dhurata Hoxha, si anëtare e kryesisë së PDK’së, porosiste bashkëpartiakët e saj se në partinë e Kadri Veselit nuk kanë vend njerëzit me që akuzohen për korrupsion. Por, një vit pas, vetë ish-Ministrja e Integrimeve po përballet me dyshime të tilla.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, këtë javë ka nisur një hetim ndaj saj, për vepra penale që pikërisht lidhen me korrupsion.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ merr vesh se sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve që Prokurori i Shtetit ka dorëzuar tashmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ish-Ministrja e Integrimeve në qeverinë e PAN’it po hetohet për dyshime penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

    Fjala është për ndarjen e mjeteve financiare të dy OJQ’ve, në shumën nga 10 mijë euro secilës, jashtë procedurave dhe duke tejkaluar kompetencat e saj si ministre.

    Dy organizatat jo-qeveritare kishin përfituar nga 10 mijë euro nga një vendim i ministres Dhurata Hoxha, i marrë në vitin 2018.

    Ministria e Integrimit Evropian, të cilën atëkohë e udhëhiqte Dhurata Hoxha e PDK’së, kishte shpallur thirrje publike për mbështetje financiare publike, për projekte/programe të organizatave jo-qeveritare në fushën e integrimit evropian. Mirëpo, komisioni i vlerësimit, për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion dhe numrit të madh të aplikuesve, kishte kërkuar që të anulohet ky proces.

    E pesë ditë më vonë, me vendim të Hoxhës dhe jashtë procedurave të kërkuara, ishin ndarë mjetet për vetëm dy organizata jo qeveritare, në vlerë totale 20 mijë Euro, veprimtaria e të cilave nuk ndërlidhej fare me Integrimin evropian.

    Kjo aferë, që tash po hetohet edhe për dyshime korruptive, ishte evidentuar edhe në raportin e auditorit për vitin përkatës.

    E sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve ndaj ish-Ministres Hoxha, të cilin e ka parë Gazeta Online ‘Reporteri.net’, kallxim penal për këtë rast në Prokurori të Shtetit, ka deponuar ketë muaj edhe Agjencia Anti-Korrupsion.

    Aty thuhet se parashtruesi i kallximit penal ka ofruar të dhëna dhe prova të mjaftueshme që implikojnë Dhurata Hoxhën në këtë rast dhe mbështetin dyshimet për korrupsion.

    Aktvendimi për fillimin e hetimeve tregon se Hoxha, që para se të drejtojë Ministrinë e Integrimeve, në një tjetër qeveri kishte qenë Ministre e Drejtësisë, nga 10 mijë Euro për OJQ’të, pa përfillje të procedurave ligjore dhe duke tejkaluar kompetencat e saj, i ka ndarë me qëllimin që të njëjtat OJQ të përfitojnë dobi pasurore, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe rregulloren e Ministrisë mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të Organizatave Jo-Qeveritare.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ është interesuar të marrë informacione zyrtare nga Prokuroria e Shtetit në lidhje me ketë hetim, por të njëjti nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!