×
  • Lajme
  • Lajme / Kundërpërgjigje

    Qeveria i reagon zëdhënësit të BE-së: De-eskalimi ka ndodhur, masat duhet të hiqen

    Reporteri
    02 Maj 2024 | 18:03

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano i cili tha se për heqjen e masave vendosin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jo politikanët e Kosovës.

    Kryeziu përmes një postimi të bërë në platformën “X”, ka bashkëngjitur një fotografi të përplasjes së serbëve me trupat e KFOR-it, duke thënë se BE-ja kishte vendosur masa ndaj Kosovës, duke e fajësuar padrejtësisht për eskalimin e situatës në Veri, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.

    Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe sipas tij masat duhet të hiqen.

    “Rasti është i thjeshtë. BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës dhe na fajësoi padrejtësisht për përshkallëzimin që shkaktoi, shikoni foton 1.Foto 2 paraqet kryetarin e Zveçanit duke dalë nga i njëjti objekt pa ndërprerje. De-përshkallëzimi ka ndodhur. Prandaj, masat duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu në “X”.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në konferencën e përjavshme, ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin.

    Stano ka potencuar se ky vendim i takon vendeve anëtare e jo politikanëve të Kosovës.

    “Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme”, tha ai në një konferencë për media./Reporteri.net/

    Stano: Masat kundër Kosovës do të hiqen kur vendos BE-ja e jo kur do Kurti

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!