×
  • Lajme
  • Lajme

    Samiti i Parisit nuk ka dështuar, ai do të mbahet në shtator

    Reporteri
    19 Korrik 2019 | 10:54

    Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se takimi i Parisit do të mbahet në shtator, dhe këtë ia ka thënë këshilltari i presidentit Macron, gjatë vizitës së kreut të qeverisë kosovare në Francë.


    Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se ky takim i cili ishte pritur të mbahej më 1 korrik, do të mbahet në shtator, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Beogradit, me ndërmjetësim të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, takim për të cilin ishte rënë dakord në Samitin e Berlinit, përcjell reporteri.net.

    “Ky takim pritet të ndodhë në shtator. Këtë ma tha këshilltari i Macron”, ka thënë Haradinaj mbrëmë në një intervistë në Rubikon të Adriatik Kelmendit.

    Në këtë intervistë, kryeministri kosovar, ndër të tjera, deklaroi se pozicionet e Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë dobësuar shkaku i lidershipit kosovar.

    Ai i tha deklaratat e liderëve të partive politike dhe pozicionet e tyre, janë të ndryshme nga ato që i thonë në publik dhe në takime të mbyllura. Sipas tij, liderët kosovarë po tregohen inferior ndaj Serbisë.

    Sipas tij, Serbia po bën gjithçka për të dobësuar Kosovën, ndërsa udhëheqësit e Kosovës bëjnë të njëjtën gjë për veten e tyre.

    Haradinaj tha se duhet të kërkohet një deklaratë e përbashkët nga udhëheqësit e Kosovës që nuk duhet të ketë anulim të taksës përpara njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

    “Nëse e bëjmë, ju siguroj se do ta marrim njohjen. Ne kemi një kusht për njohje nga Serbia. Nuk do të ketë konflikte të ngrira gjatë gjithë jetës apo ndonjë lufte të mundshme”, tha ai.

    Në anën tjetër, gjatë një vizite në Beograd, presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se ai dhe kancelarja Angela Merkel, do të takojnë liderët e Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar arritjen e një marrëveshje në mes të dy palëve. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!