×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbët protestojnë kundër festivalit ku po marrin pjesë kosovarët

    Reporteri
    29 Maj 2019 | 19:35

    Dhjetëra serbë kanë protestuar në kohën kur ka nisur festivali “Miredita Dobar Dan”.


    Ata me me këngë patriotike serbe kanë penguar festivalin ku po paraqitet kultura kosovare, raporton gazetari i Reporteri.net që ndodhet në Beograd.

    Për të mbajtur situatën nën kontroll kanë dalë një numër i shtuar i policisë.

    Në këtë festival po marrin pjesë një numër i madh i artistëve dhe gazetarëve nga Kosova me synim të bashkohen komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve.

    Më poshtë gjeni disa foto nga protesta:

    Artistët dhe gazetarët sot u kontrolluan imtësisht në pikën kufitare në Merdare nga policia serbe për të parë nëse posedojnë flamuj apo diçka tjetër që simbolizon shtetin e Kosovës.

    Festivali i kulturës së Kosovës “Mirëdita, Dobar dan!”, është mbajtur nën tensione edhe gjatë viteve të kaluara.

    Vitin e kaluar, rreth dy orë para se të niste festivali, në afërsi të Qendrës për dekontaminimin kulturor, ishte mbajtur protestë e organizuar nga Partia Radikale Serbe, e të dënuarit të Hagës, Vojisllav Sheshel.

    Ky festival organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

    Festivali ka filluar në vitin 2014 dhe qëllimi i tij ishte të prezantojë aktualitetin kulturor të Kosovës në Beograd në mënyrë që të dyja shoqëritë të përafrohen përmes kulturës dhe artit.

    /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!