×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael rrëfen orët e sulmit nga Irani

    Reporteri
    15 Prill 2024 | 22:38

    Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka rrëfyer orët e sulmit me dronë dhe raketa nga Irani.

    Ajo tha se stafi i Ambasadës ka qëndruar brenda rezidencave sipas udhëzimeve nga organet e sigurisë, ndërsa kanë koordinuar shtetasit e tjerë shqiptarë që ndodheshin për punë dhe turizëm që të mos dilnin jashtë Izraelit qendror, rajon që konsiderohej plotësisht i sigurt.

    “Kemi qëndruar në rezidenca. Udhëzimi nga organet e sigurisë ishte që të qëndronim pranë dhomave të sigurisë dhe të evitonim lëvizjet jashtë Izraelit qëndro. Ajo mbrëmje ka lënë zgjuar shumë qytetarë, ne kemi qenë në kontakt me komunitetin shqiptar përgjatë atyre orëve dhe prisnim të qetë në rezidencë me kolegët. Në aspektin njerëzor është e vërtet që krijon emocione, por për aq sa mund të duket e çuditshme kemi qenë të qetë, të shqetësuar pa dyshim por jo në panik. Personalisht kam qenë në kontakt me grupin e punës në MEPJ dhe me kolegë ambasadorë këtu, duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet dhe duke shkëmbyer informacione të vlefshme sa i përket qytetarëve që ndodheshin në vend. Unë, stafi dhe familja ime jemi mësuar me situata të tilla, sa i takon sulmeve ajrore. Jemi mësuar tanimë si të sillemi dhe u kujdesëm që është qytetarët që ndodheshin këtu për punë apo turizëm të dinin si të silleshin në situata të caktuara.”, tha ajo për A2.

    Më tej Kumbe sqaroi se dy shtetase shqiptare që ndodheshin në Izrael për të marrë pjesë në një panair turizmi, kanë udhëtuar të sigurta një ditë pas sulmit, për në Tiranë.

    E po ashtu është organizuar edhe udhëtimi për dy përfaqësues të Dhomave të Tregtisë që ndodheshin në Tel Aviv për të marrë pjesë në një samit inovacioni.

    “Nuk bëhej fjalë për operatorë turistikë në numri shumës. Ishte vetëm zonja Hilda Kasa, përfaqësuese e Unionit turistik shqiptar dhe Drejtoresha e përgjithshme e Ministrisë së Turizmit. Javën e kaluar në Izrael është zhvilluar IMTM-ja, panairi më i madh izraelit i turizmit dhe samiti i inovacionit. Ambasada është angazhuar në promovimin e Shqipërisë dhe kemi pasur një agjendë të ngjeshur pune sa i përket turizmit në vend. Dita e dielë ishte pikërisht dita kur mbaronte vizita zyrtare. Parashikohej kthimi i qytetarëve që kishin ardhur në Izrael për aktivitete pune. Fluturimet u spostuan për disa orë. Janë larguar nga vendi, ndodhen në shtëpitë e tyre aktualisht, përveç dy personave të dërguar nga Dhoma e Tregtisë në samitin e inovacionit, të cilët largohen nesër. Në Izrael vijon të jetë e qetë jeta e qytetarëve. Sot janë hapur shkollat. I vetmi kufizim që ndodhi në Izrael për shkak të sulmit të Iranit ishte mbyllja e shkollave të dielën dhe të hënën, që kanë hyrë tashmë në pushimet e pashkës hebraike, por si rregull vazhdojnë aktivitetet dytësore. Jeta e qytetarëve i është rikthyer normalitetit. Ne këtu kemi edhe studentë e nxënës, të cilët prindërit vendosen t’i tërheqin. Kemi qenë në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Izrael, sepse njerëzit kur ndodhen në panik nisin edhe i bien telefonave ku munden. Puna ka qenë e koordinuar, ka qenë një numër shumë i vogël, ndryshe nga sulmi i 7 tetorit. Prioriteti ynë kanë qenë nxënësit dhe fëmijët, të cilët duhet të riktheheshin pranë prindërve dhe tani janë pranë tyre si në Shqipëri dhe në Kosovë.”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!