×
  • Lajme
  • Lajme / Opozita

    Tahiri: Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim në KiE – Kurti të vie në Kuvend për ballafaqim

    Reporteri
    29 Prill 2024 | 12:44

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se formimi i Asociacionit nuk është kusht për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, “të jetë e kujdeshme” në qëndrime, përcjell Reporteri.net. 

    Tahiri, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti duhet të këtë kujdes në këtë çështje.

    “Ajo që mund të them është kjo, që Raporti i raportueses për Kosovën e saktëson saktë që Kosova i ka përmbushur kushtet dhe ftesën për anëtarësim duhet ta marrë në maj. Mendoj që Kosova e meriton kërkesën për të qenë anëtare e KiE. Asociacion në këtë mes nuk është kusht. Qeveria duhet të ketë kujdes që anëtarësimi i Kosovës është paradhoma e anëtarësimit euroatlantik”, u shpreh Tahiri.

    Tahiri ka thënë se ka presion ndaj Kosovës.

    “Ne si opozitë nuk kemi komunikime me deputetë. E shoh që ka një presion serioz ndaj Kosovës në raport me këtë temë. Raporti i Bakoyannis nuk e kushtëzon anëtarësimin e Kosovës me themelimin e Asociacionit”, ka thënë ai.

    Ndërsa sa i përket Projektligjit për Kodin Civil, Tahiri ka thënë se AAK-ja do të jetë kundër.

    “Kodi Civil, edhe kur diskutohet kurrë nuk ka qenë kushtëzim. AAK është deklaruar që është kundër, shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çka do të ndodh nuk është përgjegjësi e Aleancës ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”, ka thënë ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, po ashtu ka deklaruar se Qeveria Kurti është qeveria më e dobët në histori të Kosovës.

    Ai ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të shkojë në Kuvend për ballafaqim me opozitën.

    “Më 22 mars kemi pasur një kërkesë për t’u ballafaquar opozita me kërkesën për mocion përmbajtjesor për shkarkim të Qeverisë. Kurti të vjen në Kuvend dhe të ballafaqohet dhe t’i shohim rezultatet e kësaj qeverie. Kjo Qeveri është më e dobëta në histori të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!