×
  • Lajme
  • Lajme

    Sigurimi shëndetësor për diplomatët mbulon edhe familjarët e tyre në Kosovë

    Reporteri
    16 Janar 2021 | 22:32

    Familjarë të diplomatëve kosovarë gëzojnë një privilegj çfarë nuk e kanë qytetarët e tjerë. Nga buxheti i shtetit atyre u mbulohen shpenzimet për sigurime shëndetësore që kontraktohen në vendet ku janë me mision familjarët e tyre.


    Burime të KOHËS kanë treguar se policat e sigurimit që Ministria e Jashtme i paguan për diplomatët mbulojnë edhe familjarët e tyre që qëndrojnë në Kosovë.

    Të tilla sigurime janë paguar për familjarët e ambasadoreve Nazane Breca e Shkëndije Geci, shefit të Zyrës së Kosovës në Greqi, Fitim Gllareva, konsullit Adem Sallauka, e anëtarëve tjerë të Shërbimit të Jashtëm, si Blerim Xhemajli e Arben Loshi.

    Shumë nga këta bashkëshortët i kanë të punësuar në institucione në Kosovë, për të cilën arsye nuk i kanë marrë me vete në shtetet ku shërbejnë në mision.

    Prej një muaji KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e të cilit institucion i është kërkuar që pyetje specifike t’u përcilleshin edhe diplomatëve të përmendur.

    Nëpërmjet një emaili të kthyer më 14 dhjetor, Ministria ka konfirmuar pranimin e pyetjeve dhe ka theksuar se është duke punuar për të ofruar përgjigje së shpejti, përfshirë edhe në pyetjen nëse ka edhe anëtarë tjerë të Shërbimit të Jashtëm, familjarëve të të cilëve u paguhet sigurimi shëndetësor, ani se ndodhen në Kosovë.

    Por, ndonëse kërkesa është ripërsëritur, informata nuk janë ofruar deri tash.

    Bazuar në Udhëzimin Administrativ për sigurimet shëndetësore në misionet diplomatike dhe konsullore, Ministria paguan policat e sigurimit shëndetësor për përfaqësuesit e këtyre misioneve dhe për familjen e tyre të ngushtë, në të cilën përfshihet bashkëshortja ose bashkëshorti dhe fëmijët nën 16-vjeç.

    Lista e shërbimeve që mbulohen nga buxheti i shtetit është e gjatë. Ajo përfshin një numër të madh shërbimesh spitalore, pastaj shërbimet shëndetësore që nuk përfshijnë shtrimin në spital, shërbimet e tjera që mundësojnë ofrimin e ambulancës në rrugë, si dhe sigurimet shëndetësore gjatë udhëtimit.

    Lista e shërbimeve të lejuara, sipas udhëzimit administrativ nr. 04/2015

    Shërbimet në spital

    Dhoma në spital
    Transporti për në spital
    Shpenzimet për kirurgët, mjekët, specialistët dhe anestezistët
    Shpenzimet për materialet dhe qiraja e dhomës së operimit
    Kujdesi intensiv
    Fizioterapi
    Ilaçet e këshilluara nga mjeku dhe fashat
    Protezat dhe pajisje mjekësore të ngjashme
    Shërbimet në rast të mosshtrimit në spital

    Shpenzimet për mjekun e përgjithshëm
    Shpenzime për mjekun specialist
    Kujdesi parandalues
    Fizioterapi
    Kirurgjia ditore
    Ilaçet e këshilluara nga mjeku
    Shërbimet e tjera

    Shërbimi i ambulancës në rrugë
    Shpenzime për shtatzëni normale
    Komplikime të shtatzënisë dhe lindjes
    Sigurimet shëndetësore gjatë udhëtimit

    Trajtimi urgjent
    Evakuimi mjekësor/Riatdhesim urgjent

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!