×
Intervista

U.d. i drejtorit të Klinikës Infektive: Kemi hyrë në valën e tretë të virusit, s’ka më shtretër të lirë në Infektivë – duhen të merren masa shtrënguese

Autor:Hasan Hoti
26 Mars 2021 | 22:07

Mbi 86 mijë raste pozitive me COVID-19 janë regjistruar në Kosovë, prej marsit të vitit të shkuar, kur u shënua rasti i parë me këtë virus. 1819 kosovarë, deri më sot, e kanë humbur jetën në përballjen me këtë pandemi.

Nga Klinika Infektive e QKUK-së, çdo ditë dalin pacientë të cilët e humbin betejën me COVID-19, por edhe ata që shërohen nga kjo sëmundje.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka zhvilluar një intervistë me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Izet Sadiku, i cili thotë se aktualisht janë 120 pacientë të infektuar që janë të shtrirë në këtë klinikë.

Teksa ka folur për shtimin e numrit të rasteve në vendin tonë, Infektologu Sadiku thotë se pashmangshëm qeveria duhet të marrë masa shtrënguese, të nevojshme për parandalimin e këtij virusi.

Ndihmesë të madhe thotë se iu kanë dhënë edhe klinikat tjera, që kanë filluar të pranojnë pacientë të infektuar me këtë virus, teksa shton se aktualisht në këtë klinikë nuk ka shtretër të lirë.

Lexojeni të plotë intervistën e U.D. të Drejtorit të Klinikes Infektive në QKUK, infektologun Izet Sadiku, dhënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’:

Reporteri.net: Si është gjendja me pacientë në Klinikën Infektive?

Izet Sadiku: Klinika Infektive që nga 13 marsi (2020) vazhdon të jetë Klinika numër një për trajtimin e pacientëve me sëmundje me COVID-19 dhe pikërisht nga kjo datë, kjo klinikë është shndërruar Klinikë për trajtimin e pacientëve me COVID pozitiv. Kështu që faktikisht është klinika që ballafaqohet detyrimisht me numrin më të madh të rasteve. Ne në këtë fazë kur kemi pas rritje të numrave të rasteve pozitive, sidomos dy javët e fundit, sigurisht që ka treguar se kemi kapacitete të mbushura. Ne e dimë se edhe klinikat tjera janë hapur dhe pranojnë pacientë me COVID, por që Klinika Infektive duke pasur parasysh numrin e madh, nuk kemi pasur vende të lira asnjëherë. Por që ata që dalin brenda ditës, plotësohen me pacientë të rinj.

Reporteri.net: Tashmë disa klinika janë shndërruar Klinika-covid, sa po iu lehtëson punën kjo?

Sadiku: Sigurisht se po sepse një numër goxha i madh i pacientëve që janë në krejt ShSKUK-në, ku vetëm në Klinikën Infektive i kemi 120 pacientë, dhe sigurisht se nuk do të mund t’i trajtonim këta pacientë po të mos ishin klinikat tjera.


Janë bërë një vit që nga konfirmimi i rastit të parë me Coronavirus, ku tashmë janë shënuar mbi 85 mijë raste dhe rreth 1800 raste të vdekjes, realisht në cilën fazë jemi për momentin?

Kjo mund të duket si vala e tretë me numrin më të madh të rasteve dhe faktikisht situatë e njëjtë i ka përcjellë edhe vendet tjera. Unë mendoj se i kemi mbi 85 mijë të infektuar dhe mbi 1800 raste të vdekjes, por ky numër e bën Kosovën ndër shtetet me prevalencë të ulët të vdekshmërisë, dikund 2.1 për qind dhe mendoj se kemi arritë ta japim kontributin tonë, ndërsa për masat që ka marrë shteti për ballafaqimin me pandeminë, duhet të japin mendim zyrtarët shtetëror, por konsideroj se konform situatës të paraqitur, mendoj se deri tani kemi arrite ta menaxhojmë pandeminë, sepse kemi arrite që mos ta lejojmë asnjë pacientë të mos marrë shërbime mjekësore dhe konsideroj se nuk ka pacientë që ka pasur nevojë që nuk është shtruar në spital.

Duke e parë numrin e madh të rasteve me vdekje dhe atyre që rezultojnë pozitiv, a besoni se pashmangshëm duhet të merren masa tjera?

Si në çdo shtet, strategjia e një shteti duhet të jetë një far raporti me shtretër që i ka kapaciteti spitalor dhe numri i të infektuarve, kështu që unë konsideroj që duke e parë rritjen e numrit të të infektuarve, unë mendoj që qeveria duhet ta bëjë një analizë se cilat mund të jenë masat, duke pas parasysh se tashmë nuk ka masa mbyllëse sikur që ka qenë vitin e kaluar, por mund të mbesin masa shtrënguese të cilat janë marrë edhe më herët, e që kanë rezultuar efektive dhe respektimi i masave, sepse mos respektimi i masave mund të ndikojë në rritjen e rasteve. Në shumë institucione që punojnë, qoftë edhe ato private apo publike, janë të obliguar t’i respektojnë masat për parandalimin e bartjes së COVID-19, dhe mos respektimi i këtyre masave, ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve.

Si një profesionist shëndetësor, duke parë numrin e madh të rasteve, a rekomandoni që të ketë së paku dy javë mbyllje totale?

Këtë rekomandim do duhet ta jepte IKSHPK-ja, por mendoj se si individ do duhej ta analizojmë situatën dhe ta shohim që situata epidemiologjike duhet të jetë konform gjendjes së shtretërve spitalor. Ndërsa masat për mbyllje do duhej t’i bëjë Instituti si një institucion kredibil për këtë çështje dhe duke pasur shumë faktorë, sigurisht që duhet t’i marr shteti i bën IKShPK-ja. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!