Vitia: Doza e tretë e vaksinës anti-COVID do të jetë në dispozicion vitin e ardhshëm

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se doza e tretë e vaksinës do të jetë në dispozicion për qytetarët e Kosovës vitin e ardhshëm.


Vitia për gazetarët pas vizitës në Institutin e Shëndetit Publik, ka thënë se nga ekspertët shëndetësorë dhe nga profesionistët në IKSHPK është bërë me dije se me gjasë do të ketë nevojë për dozë të tretë të vaksinës antiCOVID.

“Profesionistët nga IKSHPK-ja na kanë bërë me dije qartë në MSH se sipas gjitha gjasave do të kemi nevojë për dozën e tretë të vaksinave, marrë parasysh përvojën e vendeve tjera që përkundër vaksinimit me dy doza të qytetarëve ka pasur shpërthim të rasteve me variantin Delta. Kemi filluar negocimin për sigurimin e dozës së tretë dhe do të jetë në dizpocion të qytetarëve të Kosovës vitin e ardhshëm”, ka thënë Vitia.

Vitia edhe në konferencë për media më herët gjatë ditës kishte thënë se është duke punuar MSH-ja për të siguruar kontratë për furnizim me doza të vaksinës, për të aplikuar dozën e tretë.

Ndërkohë sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve, Vitia ka thënë se nuk është vendim që e merr ai.

“Nuk është një vendim që e marr unë. Është vendim që merret në bazë situatës në terren, e rekomandimeve nga IKSHPK-ja e nga ekspertët. Secili aktivitet që do të rrezikon shëndetin publik, do ta analizojmë për të parë si t’i qasemi. Kur merret vendimi do të njoftohen qytetarët, nuk do të jetë i fshehtë”, ka thënë Vitia.

Vitia: Remdesiviri do të jetë në klinika më së largu javën e ardhshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sa i përket furnizimit me ilaçin remdesivir që nevojitet për pacientët me COVID-19, ka thënë se janë në përfundim të procedurave dhe se ilaçi do të jetë në klinika më së largu deri fillim të javës së ardhshme.

“Procedurat për remdesivir siç kam thënë, janë para përfundimit. Shpresoj deri në fund të javës të sigurohen. Nëse jo në fund të javës, atëherë në fillim të javës tjetër remdesiviri do të jetë në klinika tona”, ka thënë Vitia.

Ai ka folur edhe për vendimin e MSH-së që punonjësit e administratës publike duhet të posedojnë kartelë vaksinimi, test PCR apo test serologjik për t’u paraqitur në vende të punës.

“Qysh në fillim të korrikut kemi hapur dritare për të gjithë punonjësit e administratës publike që të vaksinohen sa më shpejt. E edhe në javën e fundit ka qenë po e njëjta mundësi. Natyrisht punonjësit e administratës publike që posedojnë certifikatë vaksinimi, test PCR apo serologjik jo më të vjetër se një javë, mund të vijnë në vende pune”, ka thënë Vitia.