Zyrtarja e Qeverisë Gjermane “shuplakë” Thaçit: S’e përkrahim idenë e korrigjimit të kufijve

Zyrtarja e Qeverisë Gjermane, Christiane Hullman, ka përsëritur në Prishtinë, qëndrimin e Berlinit zyrtar se nuk e përkrahin idenë e Thaçit dhe Vuçiqit për korrigjim të kufijve.


“Gjermania nuk e mbështet një ide të tillë”, ka thënë Hullman, në debatin e organizuar nga Ballkan Group.

Ajo ka thënë se një ide e tillë destabilizon të gjithë rajonin.

“Ideja për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve rrit destabilitetin në të gjithë rajonin”, ka shtuar ndër të tjera ajo, shkruan Express.

Një ide të tillë e ka kundërshtuar vazhdimisht edhe kancerlarja gjermane, Angela Merkel, e cila kishte përsëritur se një ide e tillë është e rrezikshme dhe se nuk e përkrahë.

E në Samitin e Berlinit, të mbajtur me 29 prill të këtij viti, që u organizuar me iniciativë të Angela Merkel, ideja për korrigjim të kufijve, e mbështetur nga Thaçi e Vuçiq, mori goditjen përfundimtare.

Reagime të shumta pas një samiti të tillë, pat edhe nga deputetët e Bundestagut gjerman, të cilët u shprehën të lumtur, se tashmë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojë duke lënë anash idenë për prekje të kufijve.

E media të mëdha thanë që në Berlin “u varros ideja për korrigjim të kufijve”.

Megjithatë edhe pse Vuçiq e ka pranuar se një ide e tillë ka dështuar, Thaçi vazhdon të drejtojë sulme në drejtim të Gjermanisë, duke thënë se në Berlin as nuk u hodh poshtë ndonjë ide, e as nuk ka lindur ndonjë ide e re.

Në atë Samit, palët ishin marrë vesh që të vazhdonin tutje diskutimet për zhbllokimin e dialogut, në Samitin e Parisit, që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti.

E para këtij Samiti, me 6 qershor, Haradinjan e pret kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin.