×
Opinione

Kujtime të luftës (5): Rusët hynë në kryeqytet, serbët festojnë!

Reporteri
27 Maj 2020 | 15:09

Autor: Besim Kajtazi


Serbia në fshehtësi përgatiti deportimin e 2.800 të të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Serbisë.- Vrasjet e bandave serbe ndodhën  edhe pas 12 qershorit…


Pas kalimit të  Xhavitit në Maqedoni,  po afrohej fundi i majit. Sulmet ajrore  të avionëve të NATO-s  ndaj caqeve serbe nuk ndaleshin dhe  Millosheviqin e prisnin më pak se dy javë, që të nënshtrohej para fuqisë më të madhe botërore.  Pas fushatës së arrestimeve  të 18-24 majit,   lëvizjet e policisë nëpër lagje u rralluan, por edhe daljet tona, duke i ikur takimeve të mundshme, ngase sipas asaj që dëgjonim  në lajmet e agjencive të huaja,  ish-Jugosllavia, me emrin Serbi  ishte në prag  të nënshtrimit para trysnisë  ndërkombëtare perëndimore…

Lajmet për luftime nëpër zonat e ndryshme  operative  të Kosovës, ishin shtuar, ndërkohë që forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ndihmuara nga Alenca Euro-Atlantike, nga ajri, kishin nisur depërtimin e tyre  në brendi të territorit të Kosovës, duke e thyer mbrojtjen serbe…

Me babanë bisedonim rreth  ndonjë rreziku tjetër që mund të na priste  gjatë ditëve në vazhdim…

Moti po nxehej, dhe muaji qershor paralajmëronte një ngrohtësi më të madhe për banorët e izoluar gjithandej Kosovës, e, edhe për kryeqytetin e pushtuar. Sheshi përmes banorëve serbë, e, edhe disa pakicave tjera,  përdorej për të propaguar politikën  Serbisë, e cila  paraqitej si viktimë e luftës dhe kërkonin  ndërprerjen e fushatës ajrore!

Gjatë  shtetrrethimit 78  ditorë, pushtuesi lancoi  edhe një kanal televiziv “AS”, të cilin e drejtonte Fatmir Sheholli dhe aty pasqyrohej  politika  e lojalitetit projugosllav… Sa mbaj në mend në intervistë në një rast e kishin thirrur edhe përcjellësin e ish-presidentit  dr. Ibrahim   Rugova, Adnan Merofci, mirëpo, biseda shihej se ishte e imponuar dhe nuk kishe se çka të mësoje diçka  për gjendjen  tonë, kur dihet se qysh herët shtëpia  e  Rugovës në “Velani” ishte nën kontrollin e policisë …

Babai çdo ditë dilte te rrethi (afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë), duke pritur lirimin e të burgosurve. Një ditë, ai së bashku me Drinin u vonuan dhe ne u bëmë merak. Kur u errësua, erdhën të mbushur frymë dhe përpak sa nuk kishin pësuar nga plumbat.

Drinin e pyetëm, çka ka ndodhur, pse u vonuat?

Drini, tha: Ishim duke pritur te  Lagja e Spitalit, në rrugë e sipër, u ula ta lidhi këpucën  dhe për një çast diçka më fishlloi mbi kokë, kërciti muri dhe u pa se ishte plumb”.

Aty afër, doli një banor dhe i tha babait:

“Çka je kah del bre burrë çdo ditë kështu, a s’po  sheh çfarë situate është?”…

“Djalin e kam të burgosur në Burgun e Lipjanit dhe po pres mos po e lirojnë”, ia ktheu babai.

“Hajt në shtëpi,  se nëse vjen djali deri këtu, vjen edhe në shtëpi, se po don me e marrë në qafë edhe këtë fëmijë”… E kishte fjalën për Drinin…

Kapitullimi i Serbisë…

Fushata ajrore e NATO-s përfundimisht arriti qëllimin, më 9 qershor 1999, kur u dha lajmi aq i pritur për ne, kur u shpall arritja e Marrëveshjes së Kumanovës (ose Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë), e cila i dha fund dhunës serbe në Kosovë si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe.

Me këtë marrëveshje, Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe  të ashtuquajturës RFJ-së, e nënshkrua më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999, të cilën e  nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq.

Yugoslavia Serbia NATO Bombing 1999

Gëzimi ishte i madh në shtëpi, por, pikërisht natën e e nënshkrimit të marrëveshjes, kaluam ditët më dramatike, kur forcat  ushtarake ruse nga Bosnje e Hercegovina u nisën drejt Kosovës, në emër të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, për t’iu bashkuar forcave paqeruajtëse të NATO-s!

Prishtina u ndriçua nga armët

Hyrja e rusëve në kryeqytet mbrëmjen e 10 qershorit 1999  tek ne zgjoi frikë dhe zhgënjim. Prej pas ditës në lajmet  e televizivit serb njoftonin se forcat ruse po vinë  dhe ato i  ftonin qytetarët serbë të dalin t’i presin në rrugë…

Parakalimi i autoblindave ruse  nëpër qendër të kryeqytetit,  nxori në shesh, sidomos afër Gran Hotelit “Prishtina” mijëra serbë, të  cilët me të dëgjuar lajmin  se rusët arritën, me gra e fëmijë nisën festën  me të shtëna të pakontrolluara armësh, të cilat Prishtina nuk i kishte përjetuar  asnjëherë gjatë fushatës ajrore të NATO-s. Kryeqyteti u ndriçua nga të shtënat e armëve. Të shtënat  nuk u ndalën për një kohë të gjatë dhe vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ishim në hall të madh dhe  vetëm prisnim momentin  kur do të na sulmonin nëpër shtëpi.

Motra Lumnija , në gjithë këtë hallakamë, tha:

”Aaa, babë,  i lajtëm duart! Do me na ba rusi papq”!

“Çka të bëjmë”,  tha babai.

“Nëse vazhdon kështu”, i thash “po ikim e strehohemi në tavan, po me shpresën se kjo nuk do të ndodhte”.

Po atë natë, serbë të maskuar hynë në shtëpinë e Nazmi Gojanit, të cilin e vranë dhe e plaçkitën, kurse me të u plagos edhe nipi i tij. Flitej se atë e sulmoi  fqinji i tij serb. Gojani ishte një tregtar dhe qytetar i nderuar i Prishtinës…

Tërë natën nuk futëm gjumë në sy, duke pritur se çka do të ndodhë…

Lajmi për hyrjen e rusëve alarmoi Qendrën e NATO-s , e cila menjëherë urdhëroi marshimin e trupave të tyre drejt Kosovës, përmes Maqedonisë dhe Shqipërisë…

Mëngjesi  erdhi dhe qytetin e kishte kapluar një heshtje e paparë. U përhap lajmi se serbët po i lirojnë të burgosurit dhe se ata pritej të arrinin  këmbë nga Burgu i Lipjanit!

Babai menjëherë, tha:

“Unë po shkoj ta pres Veliun, se sot po i liruakan nga burgu”,  dhe u nis vet.

Pritëm kot dhe kur u kthye babai në shtëpi, tha:

“Për zotin i pashë autobusët plot me të burgosur shkuan për Serbi. Krejt lidh kishin qenë e me kokë teposhtë!”…

Në fytyrën e tij u shfaq një mërzi e madhe.

U mundova ta qetësojë  duke i thënë se “jo, s’kanë qenë të burgosur, por tu ka dukë”, por kot, ai i kishte parë më sytë e tij.

Pengjet e luftës…

Pohimin  e babait se i kishte parë të burgosurit duke i bartur me autobusë si pengje lufte në Serbi, i vërteton rrëfimi i Veliut, i cili  dëshmon  për atë se çka ndodhi   ditën e 10 qershorit  me të burgosurit shqiptarë.

“Natën e 9 qershorit, 12 orë para se të ngarkoheshim nëpër autobusë në një dhomë të gjithëve na i lidhën duart me sixhim. Na nxorën jashtë dhe rreth orës 10:00 të ditës na ngarkuan nëpër autobusë, sa e mbaj në mend ishin gjithsej 55 autobusë. Unë isha në autobusin e nr. 50, kurse  në të 55-tin ishte Flora Brovina, autobus ky i  vetmi  që nuk u mbush,  dhe në nisje iu thyen xhamat , kurse të tjerët i kishin nga 55 veta brenda. Llogaritet se ishim diku rreth 2.800 veta”.

“Për 24 orë nuk na dhanë as bukë, as ujë. Dymbëdhjetë orë përpara na i lidhën duart  me sixhim  mbrapa,  të kthyera shpinë për shpine, litar që përdoret për lidhjen e  thasëve të grurit. Nga dhomat duhej të kalonim oborrin e burgut,  i cili ishte i mbushur me paramilitarë,  që në kraharor dhe kokë mbanin shirita të kuq dhe të verdhë. Kalimi nëpërmes tyre ishte i rëndë se goditeshe nga të gjitha anët deri sa hymë në autobus. Brenda autobusit ishin nga dy gardianë burgu dhe një polic. E kishim  të ndaluar të shikojmë anash. Nga Lipjani erdhëm në Prishtinë,  pastaj morëm drejtimin kah Millosheva dhe u kthyem për Podujevë. Rrugës na gjuanin me gurë ushtarët, policët dhe popullata serbe. Kufirin e kaluam në Merdare dhe morëm drejtimin e Nishit”, kujton Veliu dhe vazhdon:

“Ishte nxehtë i madh. Në oborrin e burgut në Nish, në pikë të diellit me dritare e dyer të mbyllura  të autobusit na lanë rreth dy orë. Temperatura brenda ishte rreth 50 gradë. Nga djersitja dhe këlbaza që qitnin të burgosurit e sëmurë u mbush korridori mes ulëseve të autobusit. Filluan halucinacionet e të burgosurve dhe disa e humbën edhe vetëdijen duke iu rënë të fiktë. Falë një gardiani që na i çeli dyert e autobusit,  shpëtuam pa u ngulfatur nga mungesa e oksigjenit. Afër autobusit kishte qenë një qeshmë dhe gardiani na ka dhënë nga gjysmë litër ujë secilit”.

“Ai e mbante shishen me dorë e ne pinim ngase ishim të lidhur. Në Mitrovicë të Sremit kemi mbërri rreth orës 22:00. Edhe këtu  kordoni i gardianëve na kishte përgatitur “mirëseardhje”. Duhej te kalonim përmes tyre, kurse  kordoni në të dy anët, nisën të na qëllojnë me mjete nga më të ndryshmet , që i kishin përgatitur për ne”, kujton skenat e tmerrshme, Veliu.

“Pas kësaj ceremonie të pritjes të cilën vetëm ata ditën ta bëjnë, na shpërndanë në katër dhoma, në secilën  nga 70 veta. Nga  shtrëngimi i duarve të lidhura me litar për më shumë se 24 orë, duart na ishin ënjtur dhe  piknin gjak, dhe pasi na zgjidhën, nuk i ndienim  duart…

“Në këtë burg  na sollën rreth  280 veta, pasi që burgjet tjera në Nish , Prokuple, Pozharevc, Beograd etj., ishin të mbushur plot…”…

“Ishte kjo një tradhti që na u bë në ditën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës,  më 9 qershor. Në vend se të liroheshim nga burgu, serbët  kishin përgatitur skenarin e fshehtë për të na deportuar si pengje lufte në Serbi, e, ndoshta edhe për të na ekzekutuar më vonë…”.

Lista e të burgosurve, në duar të mjekut serb

Babai, nuk u ndal. Po atë ditë doli në qytet, dhe me Elhemen , gruan e Veliut, shkuan të interesohen  për fatin e të burgosurve dhe fati deshi që ai të takojë disa përfaqësues të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe në qytet, në një zyrë të Komunës e shohin një mjek serb, i cili punonte në burg.

Njëri e njohu dhe tha :

“Ky është mjeku i burgut”.

Ai me vete kishte një dosje të madhe më listën e emrave të të burgosurve. Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq, ndërhynë dhe  ia morën listën në të cilën ishin emrat e të gjithë të burgosurve, të cilët tashmë i kishin transportuar fshehurazi në burgjet e Serbisë dhe pikërisht zbulimi i kësaj liste si duket ua prishi skenarin e errët që kishin ata me të burgosurit shqiptarë. U evidencuan emrat e të gjithëve dhe dihej qartë se ata ishin transportuar dhe shpërndarë nëpër burgjet e Serbisë. Nuk vonoi shumë  dhe Kryqi i Kuq kontaktoi me zyrtarët e Serbisë dhe bëri edhe vizitat e para të të burgosurve, të cilët ehe atje po u nënshtroheshin torturave barbare…

Ishte ky një lehtësim shpirtëror për babën dhe të gjitha familjet e të burgosurve, pasi morën vesh se përkundër të gjitha vuajtjeve,  ishin të gjallë…

Rusët në Aeroport, Gurkhat në kryeqytet!

Në mëngjesin e 12 qershorit, na zgjoi zhurma e helikopterëve  transportues të NATO-s,  të  cilët kishin nisur  të zbarkonin automjetet ushtarake  në fushën  përreth përmendores së Prishtinës. Në lagje në rrugën kryesore u dëgjua zhurma e zinxhirëve të autoblindave të vogla, që parakaluan rrugës së “Dubrovnikut” (tash “Gazmend  Zajmi”). Nga gëzimi, njerëzit që kishin mbetur në lagje, dolën në rrugë dhe me lule nderonin ushtarët  britanikë, të cilët të parët hyrën në kryeqytet.

Ishin njësitë “Gurkha” që parakaluan edhe në lagjen tonë. Ata  u rrethuan nga banorët shqiptarë,   që kishim mbetur në lagje. Popullata nisën t’u ankohen ushtarëve britanikë , ua dhamë edhe  listat me njerëz  të burgosur dhe  të zhdukur, duke shpresuar se do të zbardhej fati i tyre. Në çdo  skaj të rrugës , të shtrirë në asfalt  ata qëndronin  të gatshëm për çdo rrezik që mund të paraqitej, ngase në kryeqytet ende kishte forca ushtarake e policore serbe, të cilat duhej të tërhiqeshin deri më 17 qershor…

Përderisa vazhdonte marrja e Aeroportit të Sllatinës nga komandanti, Gjenerali  Majkëll Xhekson , në kryeqytet serbët në tërheqje  e sipër kryen edhe disa vrasje, siç ishte ajo e vrasjes së tre  të rinjve në  Lagjen “Kodra e Diellit”, kur në një përleshje  me bandat serbe u vranë. Ishin këta Nezir Gashi, Arianit Berisha, Uran Ajeti dhe Venet Bajramaj … Ishte ky një krim i rëndë, ku dihej se në kryeqytet kishin hyrë trupat  britanike të KFOR-it…

Gjatë kësaj periudhe  nisi edhe kërkimi i armëve, të cilat pushtuesit serbë i kishin shpërndarë , nëpër popullatën e tyre. Ushtarët britanikë, nga fëmijët e lagjes sonë mësonin se  në cilat shtëpi  mund të kishte ende armë, dhe  gjatë disa ditëve të bastisjes u mblodhën shumë armë, që u gjetën nëpër shtëpitë e garazhet e tyre…

Regjistrimi në luftë!

Pas fushatës së burgosjeve, pushtuesi në Prishtinë, nisi regjistrimin e popullatës që kishin mbetur nëpër shtëpi . Urdhri u dha  nga policia dhe  të gjithë ata që  ende qëndronin në kryeqytet duhej të paraqiteshin në qendrat e regjistrimit, ku u jepej kartoni i gjelbër. Për pjesën e lagjes sonë ishte caktuar një qendër të ish-Hoteli Park, afër Parkut të qytetit, në një zyrë   të këtij hoteli, që dikur përdorej si shtëpi publike e ku duhej lajmëruar të gjithë ata që ishin në qytet.

Rrugës deri aty kishte forca policore. Duke shkuar aty na kërcënonin dhe na fyenin.

Pushtuesi dëshironte të dinte se edhe sa qytetarë kishin mbetur nëpër shtëpi, në mënyrë që ta kishin më lehtë përcjelljen e gjendjes, mirëpo fati deshi që këta kartonë nuk ju bënë punë dhe më 12 qershor arriti liria…

Foto:  Kartoni i  gjelbër i regjistrimit

(vijon)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!