×
Opinione

Mërkata e zgjedhjeve

Reporteri
19 Gusht 2021 | 10:51

Autor: Engjëll I. Berisha


Mërkata e kalimit në subjekte ka mbaruar pasi që janë dorëzuar listat për asamblistë, ndërsa, vazhdojnë aderimet e individëve me joshje, me interesa e me simpatizime nga njëri subjekt në tjetrin. Ky atraktivitet, e bën jetën të lëvizshme tek ne, bile e mundin edhe monotinë e epidemisë, duke e mundur edhe frikën me besueshmërinë, slogan ky, se me ne fitojmë gjithmonë.

S’do mend se nuk ka ndryshuar asgjë, sikur po shihet, se nuk votohet as për kryetarin më të mirë, as për intelektin e tij, por për mentalitetin e që e trashëgojmë dhe mentalitetin e turmës, që po bëhet doktrinë e pa ndryshueshme, se si lëvizë materia në prani të trupave shumicë.

Dy avantazhe janë parime që i nisin edhe këto zgjedhje. Në pah është nacionalizmi, eksperiment shoqëror ky shumë i shfrytëzuar, duke i joshur njerëzit të ngjashëm me vetveten, dhe parimi më i përfoluri, është me duar të pastra, jashtë korrupsionit. Nacionalizmi evazionin fiskal dhe nepotizmin i quan korrupsion, përderisa po punohet të krijohet njeriu i ri që të jetë nacionalist e të mos korruptohet. Ky është problem në vete që nuk mund ta luftojnë lehtë as kupolat fetare, as shtetet me nam demokracie e lere më ideologjitë. Për ironi mund të themi se nuk është problem i yni…!

Para koha e zgjedhjeve është ofertimi i moralit e sikur po thonë, – i dinjitetit, ku secili ka me bollëk. Mund ti marrim në kritikë sa të duam ata që janë në pushtet, edhe ti denoncojmë nëpër tavolina të kafeneve, sepse partiakët e secilit subjekt e mbrojnë se kanë dinjitet kombëtarë, kanë etikë njerëzorë si dhe potencë për ta udhëhequr vendin. Ata dinë mirë të mbrohen, të sulmojnë e të pozicionohen. Sipas shkrimtarit Mark Tuen, , “ Të mbajnë me dinakërinë dhe të mundin me përvojën e tyre”.

Transferimi i strukturave, e që në gjuhën e sportit thuhet i lojtarëve, është mbyllur për listat dhe mbetet i hapur për rreshtime të reja, kjo po bëhet në heshtje. Nuk ka guxim qytetarë të dalin aq haptas se me kënd janë, ngase kanë frikë nga fituesit e pushtetit dhe pastaj nuk e ndjejnë sigurinë në vendet e tyre të punës. Vetëm kjo frikë po të zhduket, po këta qytetarë votues do ta thonë mendimin e tyre, e kushedi edhe çka tjetër do të tregojnë për vendin ku punojnë. Ky është shantazh i heshtur, i vetmi që nuk ç’rrënjoset.

Tani po mbledhin të dhëna për fjalor të fushatës, se kush vodhi para nga shteti, kush shiti vende të punës, kush përfitoi nga tenderët, kush ndërtoi shtëpi në Marigonë, kush ka vila, e kush i shkollon fëmijët nëpër shkolla private, pa i besuar atyre publike të cilat i qeverisin vetë. Bile, unë këtyre ditëve po i mësojë nga debatet e kuluareve, pa pasur as interes ti dijë. Dikur moti, e mbase edhe sot, kur bëhej ndonjë hajni në fshat, thonin pritni sa të del koha e shatit, se argatët nuk kanë tjetër çka të flasin e tregojnë se kush kujt ia vodhi lopën.

Subjekti të cilit ia kam hedhur firmën për tu themeluar në vitin 1990, disa nga përfaqësues të tanishëm më thanë, – je lojtarë i dobët, dhe se nuk rikuperohesh më me ne. Ma thanë sinqerisht ngase më shihnin naiv në politikë me sloganin që tashmë po mbahet në gojët e secilit “ku ka moral në politikë”.

Këtë nderë që ma bëri një nga miqtë e mi në këtë subjekt, ia kam për borxh ngase kur e reprizova në mbrëmje, e pashë sa i dobët qenkam të tjetërsohem, dhe se nuk bën punë dëshira pa përvojë në politikë e pa një mjeshtri, zanat ky që të sjellë bukë. Krejt i pa rëndësishëm është kjo situatë personale e imja, po mos të shfaqte dukuri që po bëhet kurs rekrutues edhe për vende pune në administratë. Për ti bërë njerëzit tanë në politikë të heqin dorë nga këto dukuri, u duhet edukim i ri, po të kishte mësues. Derisa të mësohemi se qeverisja është punë administrative, punë logjike e teknike në shërbim të atyre që jetojnë në marrëdhënie ndërmjet veti dhe të tjerë, ne jemi në kundërshtim të rreptë me sociologjinë e mendjes sonë dhe me dobinë e suksesshme ndaj shoqërisë.

Po lexoja nga disa mendimtarë se njerëzit janë kafshë sociale që veprojnë në grupe, si pjesë e përjetshme e biologjisë njerëzore, me psikologjinë më të re të ngritur mbi themele kulturore. Kjo teori edhe ka quar deri te themelimi i shteteve e kombeve, për të pasur forcë më të madhe për tu përballur. Përderisa kjo teori kthehet në filozofi të subjekteve partiake që qon në formimin e grupeve nëpër subjekte për diga të forta, për ta mbajtur ujin së pari në livadhin e tyre, e rrjedhat mund të lagin edhe tokën e fqinjit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!