×
  • Prospect
  • Prospect

    Lufta dikur ndërtonte kombe, sot i shkatërron

    Reporteri
    26 Shtator 2022 | 17:28

    Autor: Mark Kukis


    Dhuna e organizuar – në çka në fakt reduktohet termi luftë – ka qenë për kohë të gjatë bashkuese e njerëzve. Dëshmi arkeologjike tregojnë që pothuajse gjysma e atyre që kanë jetuar në pjesën e fundit të Kohës së Gurit në Nubia, një zonë në jugun e lumit Nil, kanë vdekur dhunshëm. Shumë shoqëri tjera tribale gjatë kohërave kanë pasur të përbashkët këtë paternë vdekshmërie, gjë që sugjeron mobilizim të shkallës së gjerë për vrasje se sa të ndonjë dhune të rëndomtë. Bastisje të orkestruara në vendbanimet Nubiane kërkonin koordinim mes fshatarësh, njëjtë edhe mbrojtja ndaj tyre. Sulmuesti dhe mbrojtësit, njëlloj, duhej të grumbullonin resurse, të bënin plane dhe të ndërtonin mirëbesim mes njëri-tjetrit për të zhvilluar luftime efektive. Bashkëpunimi, varësia e ndërsjellë, besimi – edhe në vrasjen e të tjerëve – janë blloqe ndërtimi të rendit politik, elementet fondamentale të shteteve.

    Ngritja e agrikulturës ishte parakusht i vendbanimeve afatgjate – qyteteve – të madhësisve të konsiderueshme. Bëri që të ngriten shoqëri më të mëdha, me mundësi për luftëra më të mëdha dhe më të elaboruara. Për dinastitë e Kinës së lashtë, perandoritë e Mesopotamisë, dhe, shekuj më vonë, mbretëritë evropiane, luftëbërja ishte njëra nga arsyet e ekzistencës së tyre. Frederick William e themeloi dhe ndërtoi Prusinë [Prusia ishte një shtet gjerman në bregun juglindor të Detit Baltik] për të luftuar ndaj fqinjëve të shumtë armiqësorë të saj. Përleshjet e Prusisë me rivalët rajonalë gjatë shekujve 18-19 e krijuan kombin që sot ne e njohim si Gjermani. Përmes Atlantikut, në shekullin e 18’të, Lufta Shtatëvjeçare ndihmoi të galvanizohnte kolonistët amerikanë kundër britanikëve, duke i vënë atë në rrugë për formimin e kombit të tyre.

    Përgjatë kësaj historie që nga Koha e Gurit e deri në epokën moderne, formula themelore politike mbeti e njëjta. Elementë të ndryshme të një shoqërie mësuan të bashkëpunojnë jashtë strukturave familjare në mënyrë që të armatosen për plaçkitje, mbrojtje – ose të dyja. Ata formuan hierarki, burokraci dhe institucione që qëndruan dhe u zhvilluan. Për vendet në zhvillim, pasojat e luftërave dhanë gjithashtu përvoja të rëndësishme të përbashkëta. Humbja mund të ishte edhe më unifikuese se fitorja.

    Lufta e fundit e madhe për ndërtim të një kombi erdhi në vitin 1980, kur Iraku nën drejtimin e Sadam Huseinit sulmoi Iranin pas Revolucionit Iranian. Kur Huseini nisi sulm të egër që të kujtonte luftimet nga Lufta e Parë Botërore, Irani ishte mjerisht i papërgatitur. Revolucionarët iranianë morën angazhime fetare për të ndihmuar në nxitjen e legjioneve të luftëtarëve. Burra iranianë të rinj dhe të vjetër u hodhën kundër sulmeve të tankeve irakiane, pa pushuar, derisa avancimi ushtarak i Irakut u ndal. Për Iranin, është e vështirë të mbivlerësohet legjitimiteti që kjo arritje i dha regjimit të ri dhe kohezionin që lufta i dha Iranit. Shoqëria iraniane u bashkua rreth pikëllimit, frikës dhe ndjenjës së ripërtërirë të identitetit persian në përgjigje të pushtuesve arabë, si sunitë ashtu edhe shiitë.

    Që nga Lufta Irano-Irakiane (1980-88), tani luftërat kanë tendencë të jenë forca kryesisht shkatërruese për kombet. Vendet mes grahmave të luftës tani duket se po shkatërrohen në vend që të ngrihen lart. Në Irak, një luftë e nisur fillimisht 14 vjet më parë nga Shtetet e Bashkuara për të shpëtuar vendin ka vazhduar e vazhdon dhe është bërë burim i prishjes së brendshme të kombit. Ndërkohë, Sudani i Jugut, kombi më i ri në botë, është në një spirale në rënie të dhunës së brendshme. Vendi fitoi pavarësinë nga Sudani pas më shumë se dy dekadash luftimesh. Modelet në histori sugjerojnë se Sudani i Jugut duhet të kishte dalë nga ajo sprovë e unifikuar pavarësisht sfidave të shumta me të cilat vendi u përball si një komb i ri. Në vend të kësaj, ajo në thelb u shemb në mes të luftimeve të brendshme pas pavarësisë, duke nisur një luftë tjetër që ka zhvendosur më shumë se 2 milionë nga 12.5 milionë banorët e saj.

    Përvoja e Sudanit të Jugut është norma e re. Konflikti i armatosur, cilado qoftë origjina dhe përfundimi i tij, priret të jetë ndërprerje e dëmshme për përparimin e shoqërive, duke frenuar zhvillimin dhe duke errësuar perspektivat. Në të vërtetë, lufta është bërë sëmundje vdekjeprurëse në shtetet moderne. Termat e përdorur gjerësisht “komb i shkatërruar nga lufta” dhe “cikli i dhunës” për të përshkruar vendet e konfliktit shprehin faktin e qartë se vendet në luftë janë vende në rënie të rrezikshme. Lufta duket se është fundi i zymtë, jo fillimi, për kombet e forta.

    Një pjesë e arsyes që lufta nuk ndihmon më në ndërtimin e kombeve është thjesht se pak kombe të reja presin të ndërtohen. Dekolonizimi dhe fundi i Luftës së Ftohtë sollën në jetë shumë vende të reja në mbarë botën. Për më tepër, perspektiva e një vendi që të zhvillojë një luftë pushtuese dhe të nënshtrohet ose të përfshijë një fqinj, shkel normat e politikës ndërkombëtare të vendosura në fund të shekullit të 20-të. Kombet që ekzistojnë mbeten, në pjesën më të madhe, brenda kufijve të tyre. Shumë nga fitimet që dikur kërkonin pushtim territorial tani mund të arrihen përmes kapjes së pjesëve të tregut, manipulimit të zgjedhjeve dhe hegjemonisë ushtarake.

    Në të kaluarën, kombndërtimi shpesh përfshinte thirrje nga liderët politikë për etni dhe ideologji. Por, politika dhe dhuna e orientuar etnikisht që shumë kombe përqafuan në historinë e tyre të hershme kanë rënë përnga reputacioni dhe ka të ngjarë të nxirrnin akuza për krime lufte. Ndoshta më e rëndësishmja, asnjë ide e fuqishme nuk e gjallëron politikën globale si dikur. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Sukarno, udhëheqësi i Indonezisë moderne, promovoi një ideologji të krijuar nga ai që përziente nacionalizmin, Marksizmin dhe Islamin, si pjesë e përpjekjes së tij të suksesshme për të bashkuar Indonezinë. Për Sukarno-n, besimet dhe idetë kryesore që qarkullonin nëpër botë në atë kohë siguruan një mjet për të ndërtuar një komb të gjerë dhe të populluar nga një zinxhir ishujsh të largët etnikisht. Por politika globale sot është pa ide të mëdha dhe ideologji revolucionare. Shumica e kombeve janë konformuar me Konsensusin e Uashingtonit mbi normat në qeverisje dhe ekonomi. Edhe autokracitë e mbetura kryesisht luajnë sipas këtyre rregullave. Vetëm disa vende në Amerikën Latine – Bolivia për shembull – mburren me lëvizje politike në nivel kombëtar që synojnë çdo sfidë kuptimplotë ndaj neoliberalizmit.

    Me pak fjalë, epoka e ndërtimit të kombeve mund të ketë mbaruar. Le të shpresojmë. Ndërtimi i kombit përfshin, në fund, dhunën e represionit të brendshëm dhe konfliktin e jashtëm. Franca e epokës revolucionare, Amerika Jacksoniane dhe Kina Maoiste – tri periudha që i dhënë vulën ndërtimit të kombit në historinë globale – janë po aq të njohura për krimet e tyre sa edhe për arritjet e tyre të qëndrueshme. Ndërsa fundi i epokës së ndërtimit të një kombi mund të jetë një ndihmë për botën në përgjithësi, është pak ngushëllim për vendet që përpiqen të vendosen. Me gjasë nuk do të ketë Sukarno për Afganistanin apo Somalinë, dy vende ku një sërë aspirantësh kanë dështuar për dekada të tëra për t’u bërë udhëheqës të vërtetë kombëtarë, ose për të forcuar kombësinë e vendeve të tyre. Kurdistani i Irakut, territori kurd i Irakut, një komb pa shtet, nuk ka gjasa të ngrejë flamurin e tij së shpejti, duke mbetur në një lloj statusi gjysmë autonom. Ky është burimi i zhgënjimit të madh për kurdët e Lindjes së Mesme, siç tregoi qartë referendumi për pavarësinë në Kurdistanin irakian. Por rruga drejt kombit që kërkojnë shumë kurdë duket se është zhdukur.

    Artikulli është përkthyer në shqip nga gazeta online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!