×
  • Lajme
  • Mjekësi
  • Lajme

    Autizmi virtual, “i fituar” nga teknologjia – psikologët kosovarë me mendime të kundërta rreth shkaktarëve të tij

    Reporteri
    20 Mars 2023 | 17:50
    Foto ilustrim

    Autor: Erolinda Gashi


    Në botën virtuale nuk jetojnë vetëm të rriturit, banorë të saj janë edhe fëmijët të cilët po shpenzojnë orë të tëra në pajisje teknologjike duke u privuar nga njohja e gjërave nga bota reale. Ky lloj i ekspozimit ka quar deri te simptomat e ngjashme me autizmin të quajtura si “autizmi virtual”.

    Këtë fenomen e sheh si problem serioz edhe tek fëmijët në Kosovë, psikologia klinike, Lule Alidema. Ajo gjatë një bisede për gazetën online Reporteri.net tha se simptomat e “autizmit virtual” nuk janë më ndryshe se ai klasik.

    “Autizmi i shkaktuar nga teknologjia-“autizmi vurtual”, në kohën sot kur teknologjia është prezente në çdo shtëpi e ambient vërtetë duhet shihet si problem serioz për fëmijët sepse dita ditës veçse po rriten me përmasa të shpejta rastet kur fëmijët po shfaqin shenja të ngjashme me autizmin. Autizmi siç ishte deri tani ose ai klasiku nuk është se ka simptoma ndryshe nga ky tashmë virtual” tha ajo.

    “Atëherë kur fëmija iu ekspozohet me orë të tëra teknologjisë si: ekraneve TV, telefonit, tabletëve, lojërave kompjuterike etj., ai veçse po jeton me dhe në jetën virtuale dhe nuk ka assesi si të mos bëhet viktimë e “autizmit” virtual”, thotë psikologia Alidema.

    Ajo përmendi edhe disa nga simptomat e “autizmit virtual” siç thotë se janë: mungesa e zhvillimit psiko-motorik, mungesa e socializimit, koncentrimit, përsëritja e fjalëve, të qajturat për të marrë diçka që dëshiron dhe vështirësitë në të komunikuar.

    “Përgjithësisht ankesat janë mungesa e zhvillimit psiko motorik, mungesë socializimi, mungesë e kontaktit me sy, mungesë e koncentrimit, vështërsi në kthim të përgjigjies, theksim i fjalëve apo përsëritje e fjalëve dominuese, të qajtura për të arritur në qëllim, frikëra nga objektet reale qofshin edhe lodra, etj.” shpjegoi Alidema për gazetën online Reporteri.net.

    Lule Alidema, psikologe

    Poashtu, ajo sugjeroi që prindërit, të cilët bartin rolin më të rëndësishëm në shëndetin psikik të fëmijës, t’u kushtojnë më shumë kohë fëmijëve.

    “Keni parasysh se njëherë rritet e zhvillohet fëmija, është periudhë kohe kur prindi duhet të përkushtohet te rritja, kujdesi dhe zhvillimi i drejtë i fëmijës. Nëse po shpenzoni kohën tuaj në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës tuaj kuptojeni se po e bëni më të mirën, drejtën dhe vlefshmën që mund ta bëni ndërkohë. Nuk ka vlerë as karriera e as pasuria kurse fëmija juaj nuk po rritet shëndetshëm. Kushtojani 2 vite kohë për të mos i kushtuar një jetë kohë”, shton psikologia kosovare.

    Në lidhje me këtë fenomen shqetësues ka folur edhe psikologu, Dorjan Krasniqi i cili tha se nuk ka autizëm të lindur dhe të fituar por ka një gjendje të krijuar simptomat e të cilës përngjajnë me çrregullim të spektrit të autizmit.

    “Çrregullimi i spektrit të autizmit është një çrregullim neurozhvillimor shkaku i të cilit është ende në diskutim dhe besohet që ka një sërë faktorësh që ndikojnë që ky çrregullim të shfaqet. Të prekurit nga ky çrregullim zakonisht kanë vështirësi me socializimin, zhvillimin kognitiv, komunikim, kanë ndjeshmëri të lartë, vështirësi në përshtatje dhe përfillje të normave sociale, mungesë përqëndrimi dhe vëmendjes, shmangie e kontaktit me sy, sjellje të përsëritura, fiksime etj”, tha Krasniqi gjatë një bisede për gazetën online Reporteri.net.

    Ai shtoi se deri në moshën 2-3 vjeçare fëmija mund të fitojë një gjendje të tillë me simptoma të ngjashme me autizmin.

    “Njerëzit në masë të madhe besojnë që ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj ekraneve qoftë telefonit, televizorit ose paisjeve tjera është shkaktar i këtij çrregullimi por në fakt kjo nuk qëndron në raportin shkak-pasojë. Çfarë është e vërteta në këtë mes është që nëse në mosha të hershme të zhvillimit sidomos deri në moshën 2/3 vjeçare dhe nëse fëmija nuk ka çrregullim të spektrit të autizmit mund të ndodhë të fitohet një gjendje me disa simptoma që ngjajnë me çrregullimin e spektrit të Autizmit”, tha Krasniqi.

    Dorjan Krasniqi, psikolog

    Edhe psikologu, Dorjan Krasniqi e sheh përdorimin e pajisjeve teknologjike si shkak të thellimit të simptomave të autizmit.

    “Duhet të përmendim që përdorimi i tepërt ndaj ekraneve thellon edhe më tej simptomat e çrregullimit të spektrit të autizmit” shtoi Krasniqi.

    I pyetur nëse kjo gjendje është e shërueshme ai tha se është, përderisa çrregullimi i spektrit të autizmit është vetëm i trajtueshëm.

    “Gjendja e krijuar varësisht nga dëmtimi por është e shërueshme ndërsa çrregullimi i spektrit të autizmit vetëm trajtohet duke i përmirësuar simptomat” tha Krasniqi për gazetën online Reporteri.net.

    Ai tha se në të dyja rastet, intervenimi në moshë të hershme është shumë i rëndësishëm.

    Autizmi virtual është një gjendje që shfaqet kur fëmijët e vegjël nën moshën dy vjeç ekspozohen tepër ndaj ekraneve, gjë që çon në simptoma të ngjashme me ASD. Rastet kur konsiderohet ky fenomen janë kur fëmijët që janë të ekspozuar para ekranit në TV, tableta, laptopë dhe telefona celularë nën moshën tre vjeç përballen me probleme komunikimi dhe shpesh shfaqin sjellje të çuditshme. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!