×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Personi që u vra sonte në Elbasan dyshohet se “shfarosi” familjen Mahmuti në gjumë

    Reporteri
    11 Maj 2021 | 23:22

    Everest Çaka, që mbeti viktimë e një atentati në Elbasan, njihej ndryshe me emrin Ibrahim Çaka. Ai jetonte në Spanjë, ndërsa ka qenë i dyshuar për vrasjen e shoferit të autobuzit Gëzim Alikaj, ngjarje e ndodhur tek zona e Doganës në Elbasan. Disa vite pas vrasjes së Gëzimit, është vrarë Florenc Alikaj ose “Lenc Kokëmadhi, i cili sapo kishte dalë nga burgu në Spanjë ku ishte dënuar për trafik droge.


    Çaka 12 vite më parë ka humbur vëllanë e tij në Spanjë që njihej në Elbasan me nofkën “Noçe”, dhe për këtë vrasje dyshohet se është autor “Nel Çami”. Si kundërpërgjigje të vrasjes së “Noçes”, qëllohet me armë dhe plagoset Bujar Mahmuti, vëllai i “Nel Çamit”. Njëherësh Everest Çaka, është dyshuar edhe për një ngjarje tjetër të rëndë, e ndodhur në mars 2011, ku në lagjen “Syrja Dylgjeri”, janë qëlluar me nga një plumb në kokë teksa flinin në një dhomë, dy vëllezërit Xhelal dhe Pëllumb Mahmuti, si dhe babai i tyre, Emin Mahmuti. Këta të fundit ishin vëllezërit dhe babai i “Nel Çamit.”

    Vrasja e dy djemve dhe babait të tyre është kryer në sy të Myzejen Qoses, bashkëshortes së Pëllumbit, e cila ka parë të gjithë ngjarjen. Në ikje e sipër, autori është përleshur me Myzejenin, duke e qëlluar me një plumb afër syrit, por fatmirëisht gruaja ka shpëtuar.

    Për këtë ngjarje kriminale ku u asgjësua plotësisht familja Mahmuti, Policia e Elbasanit vuri në dispozicion plot 50 mijë dollarë shpërblim, për këdo që jepte informacion mbi autorët, por deri tani kjo nismë nuk ka dhënë asnjë rezultat. Në banesën Mahmuti, policia dhe prokuroria në 2011 kanë mundur të sigurojnë një profil ADN-je, në dorezën e derës hyrëse të shtëpisë, dhe ky profil besohet se i përket autorit të krimit, i cili ka vepruar i vetëm brenda në banesë.

    Po ashtu në murin rrethues të shtëpisë nga ka kapërcyer autori, për të hyrë në brendësi të shtëpisë, është sekuestruar dhe një kapele. Sot pas 10 vitesh nga kjo ngjarje e rëndë, ekzekutohet thuajse me të njëjtën dinamikë krimi dhe Everest alias Ibrahim Çaka, i cili është vrarë në sy të gruas së tij. Everest Çaka ishte dhe kushëriri i Arjan Spahiut, i vrarë në nëntorin e 2020 në Molenbek të Belgjikës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!