×
  • Lajme
  • Shqipëria

    U plagos në sy të fëmijëve dhe gruas, flet nga spitali 43-vjeçari

    Reporteri
    03 Dhjetor 2020 | 14:00

    Një plagosje me armë zjarri u regjistrua më 1 dhjetor në fshatin Balldre të Lezhës. I plagosur ka mbetur 43-vjeçari, Hilë Gjini, i cili ka qenë në makinë kur i ka dalë përpara autori i ngjarjes, Gjergj Gjini, 69 vjeç.


    Hila ka qenë në makinë së bashku me 4 fëmijët e tij kur i ka dalë para Gjergji me pistoletë në dorë, të cilën e lëvizte sa majtas dhe djathtas. 43-vjeçari ka dalë nga makina dhe teksa ka tentuar që t’i marrë pistoletën ai ka goditur dhe e ka plagosur në këmbë.

    Hilë Gjini ka dhënë nga spitali i Lezhës një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku ka treguar versionin e tij të ngjarjes. I pyetur se a ka patur probleme prone me të akuzuarin, ai u shpreh se nuk ka patur asnjëherë probleme me të.

    Ndërkohë shton se Gjergji ka patur konflikte të tjera, por vetë ai nuk ka patur asnjëherë probleme me të.

    Ndërkohë lidhur se si ishte rrjedha e ngjarjes, 43-vjeçari tha: “Isha në makinë me 4 fëmijët. Doli para Gjergji i cili po luante armën sa majtas dhe djathtas për të gjuajtur drejt makinës. Aty vendosa që të dilja jashtë. Një plumb më kapi në këmbë, pasi ja ula armën”.

    Hila shton se më pas kanë dalë fëmijët dhe gruaja e tij, të cilët janë përleshur me 69-vjeçarin për t’i marrë armën.

    “Unë isha në tokë se arma bën punën e vet. Por nusja me fëmijët arritën t’ia merrnin. Ka gjuajtur një plumb kur po përlesheshin fëmijët më të, por fatmirësisht nuk i kapi. Kur i pashë fëmijët të përlesheshin me të, unë isha në tokë e nuk mund të bëja asgjë. Nuk i kisha humbur ndjenjat, por nuk isha i zoti për të lëvizur. Pasi i morëm armën, gruaja ia dha vajzës dhe ajo u largua. Nisi të gjuante me gurë dhe më pas u largua. Fatmirësisht ata janë mirë”, përfundoi Hilë Gjini.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!