×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Vajza e madhe shqetësohet shumë për mua”: Zjarrfikësi zbulon dhuratën e veçantë që i ka bërë e bija

    Reporteri
    04 Maj 2021 | 8:59

    Puna e forcave të shërbimit zjarrfikës është një punë fisnike, pasi jo pak herë ata vënë në rrezik edhe jetën e tyre për të ndihmuar komunitetin.


    Për të respektuar sakrificën e tyre 4 maji njihet botërisht si Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Zjarrfikës. Ajo është shënuar në vitin 1999 pas vdekjes së 5 zjarrfikësve në një zjarr në Australi. Në këtë ditë organizohen aktivitete të ndryshme promovuese dhe mbështetëse për punën e tyre.

    Në Shqipëri duket thënë se kjo ditë njihet pak dhe nuk ka ndonjë organizim të veçantë në kuadër të saj, ndonëse zjarrfikësit tanë përveç problematikave të përditshme përballen edhe me katastrofa natyrore sikurse ishte edhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

    Po ashtu ata janë angazhuar edhe gjatë kësaj periudhe të pandemisë me procesin e dezinfektimit të institucioneve apo banesave, duke qenë se janë raportuar më pak raste të zjarreve në këto muaj. Janë rreth 1300 zjarrfikës si pjesë e këtij shërbimi, të cilët shpesh përballen me vështirësi që nga paga e deri tek mungesa e mjeteve të nevojshme për situata të komplikuara që rrezikojnë jetën e qytetarëve por edhe të atyre vetë.

    Për të folur më shumë mbi rëndësinë e kësaj dite, ishte i ftuar sot në “Wake Up”, Agustin Pepkolaj, si përfaqësues i shërbimit zjarrfikës në qytetin e Lezhës.

    Ai ka qenë pjesë e shumë trajnimeve në vende të BE-së, ka qenë drejtues operacioni në “Joint Reaction 2019” organizuar nga garda e New Jersey dhe komanda evropiane e NATO-s.

    “Shërbimi zjarrfikës është një shërbim totalisht në ndihmë të komunitetit. Është një shërbim, i cili nuk ka dallime, nuk ka kufij, sepse edhe lufta që ne bëjmë është me një armik të përbashkët, si zjarret, përmbytjet, katastrofat, por edhe pandemia së fundmi.

    Është një strukturë që shërben 24 orë, nuk ka kufij në sakrificën që bën në ndihmë të komunitetit. Njerëzit, të cilat shqetësohen më shumë janë familjarët, por sidomos vajza e madhe 15-vjeçare. Realisht ajo është më e përkushtuar dhe ndikohet. Vajza sot më ka realizuar një pikturë që ma ka dedikuar mua. Gjesti i saj ka shumë rëndësi për mua”, u shpreh ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!