×
  • Sport
  • Sport

    Futbollistët afrikan me telashe për të ardhur në Kosovë, e pësojnë Prishtina dhe Trepça ’89

    Reporteri
    22 Janar 2021 | 14:19

    Futbollistët e Prishtinës, Otto John dhe Gauthier Mankenda, kanë aplikuar për lejeqëndrim në Kosovë.


    Por, që nga dhjetori janë në pritje të përgjigjes. Shkaku i kësaj të dy kanë mbetur pa e filluar fazën përgatitore me ekipin.

    John ndodhet në Nigeri ku ka shkuar për ta vazhduar pasaportën, kurse Mankenda ka mbetur në kryeqytet. Menaxheri i ekipit të parë të Prishtinës, Kushtrim Sopa, që është edhe koordinatori i shkollës së futbollit, ka thënë për “Kohën” se janë ende në pritje të një përgjigjeje pozitive. Sopa shpreson që lojtarët të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm para fillimit të kampionatit.

    “Otto Johni bashkë me Mankendën kanë bërë kërkesë për lejeqëndrim në Kosovë, saktësisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mankenda është në Kosovë dhe shkaku i kësaj nuk ka mundur të shkojë me ekipin në përgatitje në Turqi. Ndërkaq, Johni është dashur të shkojë në Nigeri për të aplikuar për vazhdimin e pasaportës. Aplikimin e ka bërë më 10 dhjetor dhe besoj që brenda kësaj jave do ta marrë atë. Ne jemi në pritje që të marrim lejeqëndrimet e tyre për të mos pasur probleme. Shpresoj që Johni të paktën të jetë në javën e fundit të përgatitjeve me ekipin në Turqi. John është ende në Nigeri pasi ende nuk i ka kryer të gjitha procedurat atje. Atij i duhet edhe një vizë për në Turqi”, tha Sopa.

    Ai shton se është në kontakt të vazhdueshëm me personat përgjegjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës. Sipas tij, pandemia është ndër faktorët kryesorë për këto vonesa.

    “Ne shpresojmë që sa më shpejt që të jetë e mundur t’i marrin lejeqëndrimet. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me personat përgjegjës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por për shkak të pandemisë dhe disa gjërave të tjera që kanë ardhur si pasojë e pandemisë, po ka vonesa. Edhe ne si klub, ashtu sikurse qytetarët, po i bartim pasojat e pandemisë”, u shpreh Sopa.

    Menaxheri i Prishtinës konfirmoi se Otto Johni ka kontratë me klubin dhe se nuk do të largohet në këtë afat kalimtar.

    “Otto Johni është lojtar i Prishtinës dhe ka kontratë deri në vitin 2022 me klubin tonë. Nuk ka asgjë të vërtetë sa i përket kalimit të Johnit te ndonjë klub tjetër”, deklaroi Sopa.

    Përveç Prishtinës, me probleme lidhur me lojtarët e huaj po ballafaqohet edhe Trepça ’89 dhe klube të tjera. Tre lojtarët afrikanë të ekipit nga Mitrovica, Prince Marley, Charles Sie Bismark dhe Vicent Okonkwo, ndodhen në Turqi për t’u pajisur me viza, e pastaj me leje qëndrimi në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!