Gjysmën e vitit Franca, gjysmën Spanja, ishulli 50 metra që ndryshon sovranitet çdo 6 muaj

Gjashtë muaj i Francës, gjashtë muaj i Spanjës. Në kufirin midis dy vendeve, pak para grykëderdhjes së Bidasoas në Atlantik, në mes të të lumit, gjendet një copëz tokë e pyllëzuar.
Më 1659 aty u takuan sovranët e dy vendeve për të firmosur Traktatin e Pirenejve, i cili i dha fund Luftës 30-Vjeçare. Por në të vërtetë, për Ishullin e Fazanëve, “lufta” nuk ka pushuar kurrë.

Meqënëse nuk mund të ndahej përgjysmë, pasi nuk arrin as 50 metra gjatësi, Ishulli i Fazanëve u bë një territor i përbashkët, ku më tepër se një vend ushtron sovranitet.

Çdo gjashtë muaj aty kryhet ceremonia e vogël e transferimit të sovranitetit dhe është edhe momenti i vetëm kur mund të vihet këmbë atje. Nga 1 shkurti deri më 31 korrik ishulli i përket Spanjës dhe administrohet nga komuna e Irunit. Nga 1 gushti i kthehet bashkisë franceze të Hendayes, e cila e administron deri më 31 janar.

Duket e çuditshme, por në shekuj ky ishull ka përfaqësuar një “zonë të lirë” të rëndësishme. Ishulli i Fazanëve është përdorur si vend takimi midis përfaqësuesve të Francës e Spanjës, si vend shkëmbimi i robëve të luftës, por edhe si skenë e ngjarjeve të rëndësishme, si fejesat e martesat mbretërore të kurorav respektive.

Një territor “i çmuar”, i ndaluar për vizitorët. Ishulli mund të shihet vetëm nga brigjet e lumit Bidasoa, nga qyteza Hendaye në Francë dhe ajo Irun, në Spanjë. Një “dënim” që e bën atë copë toke në kufi edhe më mahnitëse.

 

 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.