Federata e Futbollit të Serbisë: E kemi të vështirë ta pengojmë pranimin e Kosovës në UEFA

Shoqata serbe e Futbollit për katër vjet luftoi për të penguar pranimin e Kosovës në UEFA, por ajo do ta ketë shumë të vështirë që këtë ta bëjë edhe më 3 maj në Budapes, për shkak se Kosova tanimë është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, shkruajnë mediat serbe, transmeton reporteri.net.

Komisioni për çështje urgjente i FSS-së, ka zhvilluar një takim urgjent ku ka analizuar disa çështje, duke përfshirë edhe situatën në lidhje me pranimin e Kosovës në UEFA më 3 maj në Budapest.

Në njoftimin e lëshuar pas kësaj mbledhje thuhet se FSS që nga viti 2012 ka përdorur të gjitha mjetet juridike për ta penguar pranimin e Kosovës në UEFA, dhe për këtë gjithmonë ka pasur mbështetje nga organet e larta drejtuese të UEFA-s dhe FIFA-s.

Megjithatë, FSS thotë se tani pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, dhe në organizata të tjera sportive, pozita e Serbisë në këtë “luftë” është vështirësuar.

“Praktikisht, futbolli ka mbetur i vetmi sport ku Kosova ende nuk ka arritur të antarësohet në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën për media të FSS-së, ku rikujtohet se Kosova tanimë, përveç që është anëtare e Komitetit Olimpik, ajo është anëtare edhe në federatat tjera, si ajo e basketbollit, hendbollit, tenisit, atletikës, notit dhe shumë të tjerave, gjë që e bën thuajse të pamundur punën e Serbisë për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet edhe në UEFA, e pastaj edhe në FIFA. /reporteri.net
 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.