KANUNI PËRBALLË POLITIKËS PRAGMATIKE. PSE?

Fushata e egër kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të shtetit është mbështetur në dy shtylla kryesore: e para, e sponsorizuar nga shërbimet sekrete antishqiptare dhe e dyta, e mbështetur në thirrje në kanun, pra në thirrje për hakmarrje, duke manipuluar me ngjarje të pandriçuara dhe duke shpupurisur mykun e disa historive të së kaluarës. Meqë për shtyllën e parë të kësaj fushate brutale kam shkruar në një rast tjetër, (Pse sulmohet kaq brutalisht Hashim Thaçi) kësaj here po e trajtoj shkutimisht manipulimin  opozitar me ngjarje të pandriçuara e me histori të mbuluara nga myku i harresës, por që u tentua të instrumentalizohen politikisht, duke u thirr në Kanun.  Por, sulmet e këtilla me ngjarje të hidhura e me lexim të tyre jashtë kontetstit, nuk u drejtuan vetëm kundër Hashim Thaçit. Ato u drejtuan edhe ndaj shumë të tjerëve, me synimin që t’i nxitnin që të mos e votonin presidentin e ri, po ta shpienin vendin drejt anarkisë dhe kaosit. Sulme të ndyra me këtë parashenjë, u drejtuan veçmas ndaj dy deputeteve të LDK-së, Teuta Rugovës dhe Doruntina Malokut, pjesëtare të dy familjeve emblematike në historinë e kësaj partie po edhe të Kosovës mbarë. Niveli i ulët i fyerjeve ndaj tyre, nuk ia vlen as të evokohet këtu e as të mbahet mend. Duhet të mbahet mend vetëm tentimi i ndyrë i manipulimit me ngjarje të së kaluarës, në të cilat ato personalisht nuk kanë qenë me asgjë të përfshira, ndërsa atyre u kërkohej llogari për to. Fjala vjen, deputetes Doruntina Maloku po i kërkohej që qëndrimin e saj si deputete, ta kishte të  kushtëzuar nga ngjarja e hidhur e vrasjes së babait të saj, një krim që nuk është ndriçuar ende. Logjikisht, deri sa krimi nuk është ndriçuar nga drejtësia, nuk është normale e as e lejueshme që të bëhet me gisht ndaj kujtdo. Sot për sot mund të mendohet se Enver Maloku ka mundur të jetë viktimë edhe e shërbimeve sekrete serbe. Por, edhe nëse ka qenë viktimë e ndonjë segmenti të atëhershëm të shqiptarëve, ai organizim më nuk ekziston, ndërsa vrasësi ose vrasësit mund të jenë rehatuar në organizime të tjera, e jo aty ku aludojnë denoncuesit trutharë. Prandaj, nuk mund t’i ngarkohet një këso barre vajzës së të ndjerit, e cila është e zgjedhur për të shërbyer si ligjvënëse, e jo si hetuese për vrasjen e babait të saj! Mendësia kanunore e anarkistëve dhe e mujsharëve parapolitikë  nxitë pikërisht idenë që të bëhen denoncime pa fakte dhe që të dominojë mania e hakmarrjes, për të shkaktuar pastaj anarki e kaos. Edhe në rastin e Teuta Rugovës është e njëjta gjë:

tentuan ta manipulojnë, duke manipuluar me raportet e babait të saj, me  ngjarje e me njerëz, për të cilat/cilët, ajo nuk ka asnjë përgjegjësi. Kërkesa që Teuta Rugova të mbajë rivalitet me ata që paskësh pasur ndonjë mëri babai i saj si president vendi, në fakt është mënyrë kanunore e të menduarit! Ajo u dashka të hakmerret ndaj ndokujt për babain, e jo të shërbejë si deputete? Madje edhe nëse babai i saj president, ka pasur marrëveshje bashkëqeverisëse dhe ka bashkëpunuar intensivisht në procesin e ndërtimit të shtetit me ata persona, ose me atë subjekt? Bile, edhe nëse partia  e babait të saj është në koalicion dhe ka marrëveshje të shkruar më atë subjekt, Teuta u dashka ta vazhdojë hakmarrjen fiktive pë babain e saj, i cili për dallim nga Enver Maloku, ka pasur vdekje të natyrshme dhe është përcjellë me nderime nga i gjithë populli?


Ku e ka burimin kjo mënyrë kanunore e primitive e të menduarit, e cila nxori krye si gjarpër helmues në “politikën e lartë” dhe në “gazetarinë e lartë” të Kosovës, gjatë kësaj antifushate brutale ?! Si është e mundshme që këta njerëz, që gjasme janë politikanë e opinionbërës, e mendojnë politikën aktuale si hakmarrje kanunore, për ngjarjet e pandriçuara dhe ngjarjet e kaluara? Në fakt, manipulimi me të kaluarën, është bërë e bëhet për ta mbajtur të fuqishme virulencën e konflikteve e armiqësive, të cilat do të përdoreshin për ardhjen e dikujt në pushtet, qoftë dhe me çmimin që lojërat e këtilla do ta dobësonin dhe mbase edhe do ta dështonin shtetin. Kërkesa e anarkistëve dhe mujsharëve parapolitikë, që politika aktuale e shtetit tonë të bllokohet nga paqartësitë e të kaluarës, qoftë ato që i përksain drejtësisë, qoftë ato që i përkasin studimit historiografik, nuk është vetëm absurde, po është edhe e rrezikshme. Për ta kuptuar se sa absurde dhe sa e rrezikshme është kjo tendencë, mund të shërbejë edhe ky krahasim i vogël: do të ishte njësoj sikur Barak Obama sot ta kushtëzonte  bashkëpunimin me Putinin, duke qenë i kufizuar dhe i bllokuar nga raporti armiqësor që ka pasur Gjon Kenedi me Hrushovin, në kohën e krizës së Kubës. Ose nga dyshimet e pavërtetuara se Li Osvaldi e ka vrarë Kenedin, me urdhërin e sovjetikëve! Po të mirreshin si bazë e marrëdhënieve të sotme ndërmjet SHBA-së e Rusisë ato ngjarje e ato armiqësi, është afër mendësh se në çdo çast do të mund të fillonte lufta! Por, bota normale e di se ngjarjet e kaluara, sado të hidhura që të kenë qenë, nuk bën kurrsesi ta determinojnë politikën pragmatike. Shtetet evropiane e kanë dhënë provën më madhështore, pikërisht duke i tejkaluar krimet e hasmëritë e kaluara e duke aplikuar politika pragmatike në bashkëpunim e në integrim. Modeli ynë duhet të jenë ato përvoja të shteteve evropiane, e jo mënyra kanunore e të menduarit. Edhe në rastin tonë, si shtet i ri, historia për të kaluarën duhet të mbahet mend dhe drejtësia gjithsesi duhet të vendoset, por as njëra e as tjetra nuk duhet të jenë barrë e deputetëve, qeveritarëve e politikanëve gjatë veprimeve të tyre ditore e pragmatike në ditët tona. 
Ndoshta ajo që pati thënë Cerqilli për gazetarët, se ata nuk kanë as miq e as armiq të përhershëm, duhet të vlejë edhe për politkanët. Pse? Sepse realieti që ndryshon vazhdimisht, edhe politikanët i shtyn që të ndryshojnë, që të ndjekin logjikën e ngjarjeve, e jo të mbeten të barrikaduar në istikame. Mbase ata që mbeten në istikame nuk janë më politikanë, po shndërrohen në pasues të Don Kishotit, në misione e luftëra të imagjinuara. Ose janë thjesht faqezi, që duan të bëjnë sherre të shtyrë nga ligësia e nga ambicie të sëmura.   
 

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.