Është një vend, ku të propozoj të shkosh

Propozim 1. Te Diella, në Lezhë

Nuk ke ngrënë ngjala te Diella? Nuk paske ngrënë ngjala kurrë.

Ajo ka mënyrën e saj si i zgjedh, si i pjek, se’ç ju hedh, se’ç të thotë kur t’i sjell në tavolinë dhe ty të ngjan sikur të bën magji. Të bën të besosh se po ha për herë të parë, një ushqim unik dhe bërë enkas për ty. Sepse ajo të trajton sikur e ka hapur atë lokal, vetëm që të shkosh ti.

Nuk ka zonjë bujtine të dytë, që qesh aq bukur, që flet sikur këndon, që ta shtron tryezën me piceta të qëndisura dhe ta mbush me dashuri.

Diella është shkollë e mikpritjes, mirësjelljes, që i duhet një restoranti për të qenë gjithmonë plot. Nuk e kam dëgjuar kurrë të ankohet.

Rruga e keqe, mezi erdhëm… Ani, s’ka gjë, se më shumë, nuk i kënaqim dot të gjithë. Lagunën e dhanë me koncesion dhe ajo nuk lejohet më të zërë ngjala në oborrin e saj… Punë e madhe, ka ngjala plot, në Lezhë e Shëngjin.

Vetëm mirë, vetëm diell kjo grua, që të mbush shpirtin kur i shkon në lokal dhe të bën të vesh prapë e gjithnjë, në Vain, aty ku gëzon çdo lule në oborr, kur hyn Diella.

Kështu e solli diellin në një tokë gjithë ferra, ku vuri një sobë e nisi të pjekë peshqit që zinin peshkatarët e zonës. Gatuante për ta në fillim. Pastaj dhe pak raki, pak verë, pak domate, derisa për sobën u bë një kuzhinë e për kuzhinën një dhomë dhe dhoma nuk ndenji kurrë bosh, qysh atëherë. Edhe tani që pas një kati u shtua dhe një kat, tani kur oborri është plot e ballkonet ngjajnë si lozha vip, Diella nuk e hedh sobën nga e nisi. Asaj sobe, mund t’i kthehej çdo ditë e ta fillonte nga e para, kudo të shkonte. Dhe ta kthente çdo cep të shkretë në bujtinën më të ngrohtë në Shqipëri. Se është Diella, ajo.

 

Propozimi 2. Te Liro, në Vlorë

Sado ta fotografosh, fotot nuk e tregojnë dot, aromën e picetave të bardha, shtruar në tryezën rrëzë fikut, ku shijon diellin që bie mbi Sazan.

Fotot tregojnë detin dhe gurët, por jo diellin që djeg nga zalli, nga shkëmbi dhe deti si në 3D. Tregojnë pishinën, por jo dot ujin e detit, që e mbush atë.

Fotot nuk tregojnë as ëndrrën e një burri me pantallona të shkurtra dimër – verë, që ndalonte kur kthehej nga peshkimi dhe ulej në ato gurë duke menduar me zë: Ta kem ta pastroj e të sjell një zgarë, të pjek peshqit që kap.

Kështu e nisi, me një ëndërr të vogël, për një gjë vetëm për vete. Hodhi një litar nga lart dhe nisi të zbresë poshtë punëtorë,  në një lartësi sa 12 kate pallati, që të pastronin, të gërmonin, të kërkonin, derisa e zbuloi thesarin.

Jo në një ditë, as në një vit, u deshën vite, dimra bosh, me frikë dhe pasiguri se nuk do gjente asgjë, në vendin ku Vlora hidhte plehrat, nga kamionët lart në rrugë.

Por ëndrra jote nuk të lë kurrë, edhe sikur ta lësh ti.

Liro ia doli të bëjë këtë kompleks ndërtuar në gur, pa e prekur fikun që bën prapë kokrra si dikur, kur ai vinte e ngrohej në diell, pas peshkimit.

Ruan dhe litarin nga zbrisnin punëtorët e parë, edhe kovën e tyre me llaç.

Se aty nisi e gjitha, te një kovë e një litar. Tani bën debat me piktorin që nuk do t’i fusë në telajo, se kova dhe litari nuk janë art, sipas tij.

Art mbase jo, po punë e shpërblyer janë.

Liro e nisi me një litar e një kovë, por tani nuk ka më dilema, ka vetëm kënaqësi që në vend të një zgare me peshk për vete, e ka mbushur gjirin me tavolina e apartamente plot finlandezë, ukrainas, gjermanë, nga ata që vijnë çdo vit dhe i mbushin ato 16 dhoma duke e detyruar Liron të liroje të  tijën, po shkoi njeri pa lajmëruar.

Mos e lër pa shkuar qoftë edhe në plazh, aty, sikur edhe për një drekë në Tarracën  e Fikut apo një mëngjes në Kopshtin e Breshkave. Por mos e lër pa parë perëndimin te Liro. Mos bëj pa ndaluar, qoftë edhe për t’i bërë vetes mirë.

Se ëndrrat janë ngjitëse. Aty ku ëndërroi një burrë me pantallona të shkurtra, edhe ti mund ta gjesh ëndrrën tënde.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s'kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.