×
  • Lajme
  • Lajme / Ministria e Jashtme

    Ahmeti për Asociacionin: Është zotim që duhet adresuar pas anëtarësimit në KiE

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 19:58
    Zëvendësministri Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në konferencën për media më 17 prill 2024

    Zëvendësministri Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, në konferencën për media bashkë me ministren Donika Gërvalla, u pyet nëse Asociacioni është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, përcjell Reporteri.net.

    Ahmeti tha se ky zotim duhet të adresohet pas anëtarësimit.

    “Neni 11 i raportueses Bakoyannis tregon qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit, dje në seancën plenare dëgjuam nga njëri prej drejtuesve të grupit më të madh politik në Asamblenë Parlamentare se Këshilli i Evropës është Këshilli i Evropës e jo Bashkimi Evropian, pra nuk duhet të ndërlidhen proceset që kanë të bëjnë me dy organizata të pavaruara nga njëra tjetra”, tha Ahmeti.

    “Raporti i Bakoyannis nuk e parasheh këtë. Propozimet për me fut Asociacionin si parakusht janë refuzuar nga shumica dërrmuese”, shtoi tutje.

    Ministrat e Jashtëm të Këshillit të Evropës do të vendosin përfundimisht rreth çështjes së anëtarësimit të Kosovës gjatë një takimi më 16 maj.

    Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

    Por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

    Ahmeti theksoi se “Dora Bakoyyanis tha dje qartazi dhe haptazi se kjo nuk është një gjë që mund të arrihet për momentin, sepse…kjo temë i përket një procesi, që nuk varet vetëm nga Kosova, aty jemi tre palë, Kosova, Bashkimi Evropian dhe Serbia”.

    Duke folur për themelimin e Asociacionit në Kosovë, Bakoyyanis tha dje në Asamble në Strasburg se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës, “prandaj, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës”.

    Të gjitha rekomandimet e Serbisë për futjen e themelimit të Asociacionit si kusht para pranimit të Kosovës u rrëzuan gjatë votimit të së martës në Strasburg.

    Gjatë debatit në seancën e Asamblesë Parlamentare të martën, deputetët nga Franca thanë se do të ishte mirë që Kosova të bëjë hapat e parë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para votimit final të ministrave.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!