×
  • Lajme
  • Lajme

    Alarmon Ridvan Berisha: Besnik Bislimi ka nisur spastrimet në RTK

    Reporteri
    20 Shkurt 2020 | 10:23

    Kryeredaktori i RTK-së, Ridvan Berisha ka thënë se ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka një skenar për spastrimin e Radio Televizionit të Kosovës.


    Madje Berisha e quan ministrin Bislimi kapitalist dhe me mendësi gjysmë bolshevike që do të kaploj RTK me njerëzit e vet.

    “Në listë është edhe RTK, e kanë në skenar kapitalisti Besnik Bislimi besoj që kujdeset bashkë me ekipin e vet të mendësi gjysmë bolshevike për të kapluar njerëzit e vet këtu”, ka thënë Berisha.

    Se pritet të spastrime edhe në RTK, ka thënë mbrëmë në një emision vet deputeti i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku. Ky i fundit ka deklaruar se pas Telekomit duhet të trajtohet edhe RTK-ja.

    “Besoj se çështjen e RTK-së duhet ta trajtojmë në tërësi, jo vetëm për bordin. Shpesh na kanë thënë se bordi është nyja ku zgjidhet ose jo problemi i RTK-së, por mendoj se duhet të ndryshohet kjo. Problemi është pak më fondamental. Bordi është një pjesë shumë e rëndësishme e problematikës, dhe mendoj se RTK-në duhet ta shpëtojmë. Ky është një obligim që e kemi si shërbyes të qytetarëve të sigurohemi që një shërbyes i tillë mediatik të jetë në shërbim të qytetarëve dhe publikut”, ka deklaruar ai në KTV.

    Se nuk do të ndalen veç me Telekomin ka deklaruar edhe zv.kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se shkarkimi i bordit të kësaj kompanie është veç fillimi.

    “Sot ishte vetëm fillimi. Sot Qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performances të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ndryshe, dje gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti, ka shkarkuar zyrtarët shtetërorë, të cilët kanë qenë pjesë e ministrive të ndryshme në vend.

    Sekretarët e disa ministrive të Republikës së Kosovës, pësuan nga ky vendim.

    Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme Fitim Sadiku, sekretari i ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, sekretari i Teknologjisë dhe Inovacionit Hajriz Koci, sekretari i ministrisë së Financave dhe Transfereve Naim Baftiu, sekretari i ministrisë së Administratës Publike Arton Berisha dhe sekretarja e ministrisë së Investimeve Strategjike Shyhrete Gosalci, janë zyrtarët të cilët janë shkarkuar sot nga kryeministri Albin Kurti.

    Kjo u bë gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku në kuadër të shkarkimit hyjnë ministritë e prekura nga riorganizim dhe kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!