×
  • Lajme
  • Lajme / Dita e Evropës

    Ambasada e Italisë: Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën drejt familjes së BE-së

    Reporteri
    09 Maj 2024 | 17:47

    Ambasada e Italisë në Kosovë ka uruar Ditën e Evropës për kosovarët.

    Në platformën “X”, kjo ambasadë ka thënë se shteti italian do ta vazhdojë mbështetjen në rrugën e integrimit evropian.

    “Italia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt familjes së BE-së”, thuhet në njoftim.

    9 maji këtë vit e gjen Kosovën nën thirrjet e vazhdueshme të krerëve të shtetit për heqjen e masave të vendosur nga blloku evropian gati një vit më parë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kosova po kërkon heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

    “Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti të enjten gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian.

    Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.

    Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.

    Nga BE-ja gjatë kësaj jave kanë thënë se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.

    “Diskutimet do të bazohen në raportin e Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së të dërguara në Kosovë, kur u futën masat. Unë vetëm mund të konfirmoj, pa diskutuar publikisht proceset aktuale në Këshill, se raporti është para finalizimit dhe do t’u dorëzohet vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano sot në një konferencë për media të martën.

    Për sa i përket afatit dhe përmbajtjes, Stano tha se nuk mund të bëjë komente, pasi këto janë procedura të brendshme në kuadër të Këshillit Evropian.

    Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

    Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit). /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!