×
Intervista

Ambasadori Hovenier: Asociacioni është zotim që duhet të plotësohet, Qeveria e Kosovës të ofrojë idetë se s’i të përmbushet ky zotim

Autor:Leart Hoxha
12 Tetor 2022 | 21:00
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier

Intervista e plotë e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhënë për emisionin “Context” në ATV

ATV: Ka shumë fjalë rreth marrëdhënieve Kosovë-ShBA, prandaj do të dëshiroja t’ia filloja me këtë duke ju pyetur a ka pasur ndonjë ndryshim rrënjësor në mënyrën se si Kosova dhe ShBA-ja bashkëpunon me qeverinë e tanishme krahasuar me ato parapraket apo në vitet e mëhershme?

Ambasadori Hovenier: Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë miq të kahmotshëm. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar përkrah Kosovës për kohë të gjatë dhe edhe Kosova i qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara. Kemi marrëdhënie njëmend të mira me këtë qeveri. Kam marrëdhënie të mira personale me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti dhe kontaktet në mes të qeverive janë të forta dhe të fuqishme. Kështu ka qenë edhe me qeveritë e kaluara sepse ta them sërish, kemi miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm.

E di, por me siguri e dini se ka disa spekulime rreth temës për nivelin e komunikimit, d.m.th. takime me sekretarin Blinken, takime me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, si dhe me diçka që po quhet mungesa e vullnetit politik për t’ju përmbajtur Zotimeve të Uashingtonit të vitit 2020. A ka pasur kjo ndonjë ndikim në marrëdhëniet Kosovë-ShBA?

Ambasadori Hovenier: Nuk ma merr mendja. Pjesë e bisedimeve tona me qeverinë e Kosovës ka qenë dëshira jonë që të shohim zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme. Kjo do të përfshinte edhe elemente të Zotimeve të Uashingtonit, si dhe të marrëveshjeve të Brukselit. Por, ne kemi partneritet të fuqishëm; komunikojmë gjatë gjithë kohës. Me siguri e dini se dje, sekretari Blinken foli me kryeministrin Kurti. Ky është vetëm një shembull. Ata janë takuar më herët gjatë verës. Kemi marrëdhënie të fuqishme, partneritet të fuqishëm.

Gjithashtu, ka pasur dallime ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, jo domosdoshmërish vetëm amerikanë, lidhur me çështjen e Ballkanit të Hapur, tërë procesit të integrimit të rajonit në institucionet euro-atlantike. A ka nevojë që të sqarohet edhe më tej, të kristalizohet qëndrimi amerikan lidhur me Ballkanin e Hapur dhe përfshirjen e mundshme apo kushtet për përfshirjen e Kosovës në proces?

Ambasadori Hovenier: Nuk e di a ka nevojë që të sqarohet qëndrimi amerikan, por me kënaqësi e përsëris atë. E kam bërë këtë më herët, siç e ka bërë edhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Eskobar. Janë një varg nismash rajonale që mund të ndihmojnë në rritjen e prosperitetit në rajon. Ne e mirëpresim çdo gjë që zvogëlon pengesat për tregti, që çon përpara lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, kapitalit. Kjo do të ishte procesi i Berlinit dhe disa prej këtyre nismave tjera, dhe sipas këndvështrimit tonë, kjo përfshin edhe nismës e Ballkanit të Hapur. Shtetet e Bashkuara publikisht kanë shprehur mbështetjen e tyre për të. I kemi pasur dy kushte për mbështetjen tonë, të paktën dy, por dy të rëndësishmet për Kosovën janë (1) nëse Kosova merr pjesë në të, do të duhet të marrë pjesë si partnere e barabartë. Një ndër gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Pa yll, pa fusnotë, pa status të posaçëm. Do të duhej të jetë një ndër gjashtë vendet si të gjitha të tjerat. Dhe kushti i dytë ka qenë që vetë nisma të jetë në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe që rrugëtimi i saj të jetë drejt anëtarësimit në BE. Ne e mbështesim Ballkanin e Hapur me kusht që këto kushte të përmbushen. Por, edhe diçka, ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është vendim sovran. Vetë qeveria e Kosovës duhet të marrë vendim se në cilat aranzhime dëshiron të përfshihet. Deri tani, qeveria e Kosovës nuk ka qenë e interesuar që ti bashkohet nismës „Ballkani i Hapur”.

A e konsideroni atë si proces që do të plotësonte integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE apo si diçka që do të konkurronte me procesin e integrimit dhe që disi do të hapte rrugën për ndikim të jashtëm?

Ambasadori Hovenier: Nuk jemi të interesuar për diç të tillë. Sërish, mbështetja jonë është kushtëzuar me ato gjëra që i shtjellova dhe që do ta mbështesim nëse është plotësuese dhe mbështet e ndihmon në arritjen e atyre objektivave të qarkullimit të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit, zvogëlimit të pengesave për tregti. Por, nëse bëhet pengesë për gjithë këto gjëra, ose që bëhet mjet për ndikimin e jashtëm, atëherë nuk do ta përkrahnim.

Kosova dhe Serbia, siç e thatë edhe në Ballkanin e Hapur, me siguri ndër pengesat kryesore është mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Të dy palët janë të përfshirë në dialog që po vazhdon më shumë se një dekadë. A paraqet status quo-ja shqetësim për Shtetet e Bashkuara?

Ambasadori Hovenier: Sigurisht. Mendoj se status quo-ja është shqetësim për Kosovën, si dhe për Serbinë. Nuk e shohim që dështimi për të arritur përparim në dialog si diçka pozitive dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë çka të mundemi për të arritur përparim në dialog. Jemi të shqetësuar me gjendjen e tanishme dhe duam që të shohim Kosovën të marrë vendin e saj si anëtare e strukturave evropiane dhe euro-atlantike.

Të përkushtuar për të bërë krejt çka mundeni… A është kjo gjithçka që mund të bëni apo e keni arritur fazën kur nevojitet qasja e drejtpërdrejtë e ShBA-së?

Ambasadori Hovenier: Nuk e di se si mund të jemi më shumë të përshirë se sa jemi tash. Si ambasador amerikan në Kosovë, me siguri kaloj më shumë kohë për këtë çështje se në çdo çështje tjetër. Siç e thashë, sekretari Blinken dje ka pasur telefonata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti ku çështja e parë e përmendur në raportet zyrtare të atyre telefonatave është dëshira jonë për të parë përparim të mëtejmë në dialog. Megjithatë, ne besojmë se ky duhet të jetë dhe është dialog i lehtësuar nga BE-ja dhe qëndrojmë fuqimisht përkrah përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçakut, në përpjekjet e tij për të arritur progres. Por, nuk duhet të ketë asnjë dyshim për përkushtimin tonë ndaj kësaj çështjeje dhe energjisë që e shpenzojmë për të ndihmuar që të arrihet përparim.

Pra, a do të thoshit që ka hezitim nga ana e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë apo për të çuar përpara tërë procesin?

Ambasadori Hovenier: Këto janë dy çështje të ndryshme. Mendoj se mund të thuhet se të dy palët kanë dhënë zotime edhe sipas marrëveshjes së Brukselit, të cilat nuk janë përmbushur plotësisht dhe mund të flasim për disa prej tyre nëse dëshironi, por nuk e di nëse ato domosdoshmërish reflektojnë mungesën e interesimit për përparim në dialog. Besoj gjithashtu se kryeministri dhe presidentja gjatë 24 orëve të fundit kanë shprehur në mënyra të ndryshme dëshirën e tyre që të shohin dialogun duke ecur përpara. Edhe ne e kemi këtë dëshirë.

Sepse zonja Karen Donfried ka thënë se status quo-ja do t’ia hapë rrugën Kremlimit për ndikim apo përfitim nëse nuk ka ujdi dhe ndër kritikat më të shpeshta ndaj qeverisë apo problemi më i madh është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. A është kjo çështje në të cilën ata duhet të përqendrohen më shumë apo problemi qëndron diku tjetër?

Ambasadori Hovenier: Kjo është ndër fushat në të cilat e kemi nxitur qeverinë e Kosovës që të përqendrohet më shumë ose ndoshta ta them në mënyrë tjetër: është ndër ato zotimet e bëra që ne besojmë se duhet të zbatohet. Dëshiroj të ndalem pak te Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Është zotim i bërë në marrëveshjen e Brukselit, madje edhe më i hershëm se kjo, por u bë zotim me marrëveshjen e Brukselit. Ne besojmë se ky zotim duhet të zbatohet. Por, ne kemi qenë shumë të qartë se janë disa dispozita në bazë të të cilave duhet të zbatohet. Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Eskobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi. Ka shumë mënyra për krijimin e këtij entiteti, për të parë realizimin e këtij zotimi, që janë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e duam dhe këtë e kemi inkurajuar. As në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një Republikë tjetër Serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin e mirë të qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, i takon qeverisë së Kosovës që ti vendosë ato kufizime, të dalin me një draft dhe me projekt se si të zbatohet ajo dhe deri tani ajo po dështon për ta bërë këtë.

Ambasadori Hovenier: E mirëpresim momentin kur qeveria e Kosovës do të ofrojë idetë e saj rreth mënyrës më të mirë për të përmbushur këtë zotim që qeveria e Kosovës e ka bërë përmes marrëveshjes së Brukselit, por në mënyrë që respekton Kushtetutën e saj dhe që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Diçka tjetër për të cilën ShBA-ja ka qenë konsistente është se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Kohëve të fundit ka pasur shumë spekulime, po qarkullon një dokument i quajtur modeli franko-gjerman dhe dokumente tjera që thonë se mund të arrihet zgjidhja pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, por që disi do t’ia mundësonte Kosovës të anëtarësohej në OKB. Pyetja ime e drejtpërdrejtë është: a do të mbështesë ShBA-ja çfarëdo ujdie, çfarëdo marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nuk kërkon në mënyrë specifike njohjen e Kosovës nga Serbia?

Ambasadori Hovenier: Së pari do të them se e kam të vështirë të flas për propozime specifike apo të supozuara që janë në publik, por do ti them dy gjëra. E para është se administrata e Biden-it ka qenë mjaft e qartë rreth mënyrës se si e shohim përfundimin e këtij procesi. Ne kërkojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Kjo ka qenë në komunikim nga kjo administratë gjatë gjithë kohës. Ky mbetet përfundimi ynë i dëshiruar. Dhe jemi të përkushtuar ndaj saj. Do ta them, megjithatë, se nuk është e sigurt se si do të arrihet kjo, në çfarë afati kohor, çfarë renditje. Pra, ne do të përkrahnim dhe do të mirëprisnim dhe do të përpiqeshim të çojmë përpara çdo gjë që do të ishte hap përpara në dialog, që do të ndihmonte Kosovën për të realizuar ambiciet e saj për tu bërë pjesë e familjes së institucioneve evropiane dhe euro-atlantike. Por, mos u gaboni, në fund të procesit, siç e ka thënë edhe kolegu im, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, statusi i fundit i vetëm i kësaj është njohja e ndërsjellë sepse rezultati i fundit është që të dy vendet anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe BE-ja nuk është e gatshme të pranojë vende që nuk e njohin njëra-tjetrën.

Nëse anëtarësimi në OKB duket si ambicie apo qëllim afatgjatë i Kosovës, kohëve të fundit kemi parë përpjekje të shtuara të qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe dhe që të lidhet me nismat e tjera të NATO-s. Sa e fuqishme është mbështetja e ShBA-së lidhur me këtë?

Ambasadori Hovenier: Ambasadorja jonë në NATO, Julie Smith, ka folur hapur për këtë, siç kam folur edhe unë. Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin dhe e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe. Ne besojmë se ky është vendi i duhur për Kosovën. Megjithatë, NATO-ja i merr vendimet me konsensus dhe momentalisht një numër i vogël, por real, i anëtareve të NATO-s nuk e mbështesin këtë. Dhe kjo na kthen te çështje përse jemi kaq të përqendruar për të arritur përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për ti trajtuar shqetësimet e këtyre vendeve ashtu që Kosova të vazhdojë në këtë rrugëtim – rrugëtimin e saj të natyrshëm – drejt strukturave evropiane dhe euro-atlantike.

Njëkohësisht, kjo temë u bë temë për shkak të fjalëve, të deklaratave të kryeministrit lidhur me një konflikt të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për shkak të paqëndrueshmërisë së situatës përgjithësisht, dhe kërkesës së tij për më shumë trupa të NATO-s, posaçërisht të ShBA-së. A ka kërcënim për konflikt?

Ambasadori Hovenier: Vetë fakti se në Kosovë është një mision i NATO-s sugjeron se ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në mbajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. Por, do të them se fakti se në Kosovë është një mision domethënës i NATO-s, me qindra ushtarë amerikanë dhe mijëra trupa të NATO-s, është një garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën. Gjithmonë ka rrezik, por mendojmë se ky rrezik po menaxhohet tash për tash dhe mendojmë se prania e NATO-s dhe puna jonë për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve ka qenë e rëndësishme për ta arritur pikërisht këtë.

Dhe puna për të zbutur tensionet, a do të thotë kjo se ju duhet të flisni me Kurtin dhe Vuçiqin dhe të tjerët për të zbutur ndoshta edhe retorikën?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se nuk është fshehtësi që unë dhe diplomatët e tjerë këtu dhe në Beograd kanë bërë gjithçka që munden me të dy palët për të siguruar që të dy qeveritë ndërmarrin veprime që i kontribuojnë stabilitetit rajonal dhe zbutjes së tensioneve. Dhe deri diku kemi pasur sukses.

Një çështje tjetër lidhur me qeverinë e Serbisë. Ka nënshkruar marrëveshje me qeverinë ruse. Serbia është ndër vendet e pakta në Evropë që ende po refuzon për ti vënë sanksione Rusisë. Si funksionon kjo? Në thelb, si e shihni qëndrimin e Serbisë lidhur me integrimin në BE, lidhur me partneritetin me ShBA-në dhe mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje afatgjatë apo gjithëpërfshirëse me Kosovën?

Ambasadori Hovenier: Do ta lë kolegun tim, Christopher Hill, ambasadorin tonë në Serbi që të jetë personi që flet në emër të Shteteve të Bashkuara rreth vizionit tonë të trajektores së Serbisë dhe vendit të saj. Por, meqë e përmendët marrëveshjen e arritur në Nju Jork, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme… sërish, ambasadori Hill dhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit kanë qenë shumë të qartë se ne nuk besojmë që tani është koha për asnjë qeveri që të shtojë bashkëpunimin e saj me Rusinë përderisa Rusia po vazhdon pushtimin e pajustifikueshëm brutal të Ukrainës.

Edhe dy çështje dhe sundimi i ligjit së pari. ShBA-ja ka investuar shumë në këtë çështje përgjatë viteve dhe tani i kemi dy çështje të mëdha. E para ka të bëjë me vetingun, që tashmë është në Kuvend dhe gjykuar nga deklaratat publike, duket se ka mbështetje nga pozita dhe opozita. Gjithashtu, edhe çështja e miratimit të Kodit Civil – herën e parë nuk pati vota. Cili është qëndrimi apo pritjet tuaja?

Ambasadori Hovenier: Së pari, e çmoj që e përmendët përkushtimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve tanë evropian perëndimor në mbështetjen e proceseve, sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë. Kemi investuar shumë përgjatë viteve dhe – populli i Kosovës e ka arritur këtë – por ne jemi krenar me rolin që e kemi luajtur në mbështetjen e kësaj çështjeje. Përkitazi me çështjet specifike të sundimit të ligjit që i përmendët, për vetingun, ne na erdhi mirë që qeveria e Kosovës kërkoi mendimin e Komisionit të Venecias. Është plotësisht legjitime që të dëshironi të ndërmerrni veprim që të siguroni që autoritetet e gjyqësorit ti mos i nënshtrohen ndikimit të pahijshëm, por është me rëndësi që kjo të bëhet në mënyrë të tillë që i përmbush standardet evropiane. Dhe standardi i artë për këtë është Komisioni i Venecias. Prandaj, jemi të lumtur që Komisioni i Venecias ka dhënë mendimin e tij, i ka ofruar një varg rekomandimesh qeverisë së Kosovës. Bisedimet tona të tanishme me qeverinë e Kosovës kanë të bëjnë me rëndësinë për të vepruar në përputhje të plotë me mendimin e Komisionit të Venecias. E nëse ajo që ndodh është në përputhje të plotë me atë mendim, atëherë ne do ta mbështesim plotësisht atë. Përkitazi me Kodin Civil… gjithashtu, më vjen shumë mirë që e ngritët këtë çështje. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë punuar me një numër të autoriteteve në Kosovë për të ndihmuar në përditësimin e Kodit Civil të Kosovës. Është ligj i nevojshëm sepse ky vend ka nevojë për një Kod Civil të shekullit XXI, të cilin nuk e ka momentalisht. Kur doli për herë të parë në Kuvend, ishim të zhgënjyer nga një pjesë e retorikës që e dëgjuam, veçanërisht lidhur me disa qytetarë të Kosovës që janë homoseksualë. Nuk menduam se ajo ishte gjuhë e përshtatshme për një Kuvend dhe do të shpresonin që gjuha në të ardhmen të jetë më e kujdesshme. Gjithashtu, shpresojmë që Kodi Civil të miratohet. Do të ishte e rëndësishme për këtë vend dhe përparimin e tij.

Çështja e fundit. Shumë njerëz nga Kabineti, por jo vetëm, po thonë se na pret një dimër i vështirë. Nuk do t’ju pyes a keni blerë gjeneratorë dhe me çka planifikoni të ngroheni, por sa të shqetësuar jeni për çështjen e energjisë dhe krizës së mundshme ekonomike që mund të shkaktohet?

Ambasadori Hovenier: Si çdo person tjetër në Evropë dhe sigurisht, si çdo person tjetër në Kosovë, edhe ne jemi të shqetësuar. Ky nuk është problem vetëm i Kosovës, është problem evropian. Realiteti është se gjatë dimrit që po vjen do të ketë kërkesa më të mëdha për energji se sa ka ofertë dhe çmimi i importit të energjisë është rritur në mënyrë dramatike. Sërish, është ndër pasojat e pushtimit të pajustifikuar dhe brutal të Ukrainës nga Rusia. Këtu në Kosovë i keni disa sfida sepse bazoheni pothuajse plotësisht në dy termocentrale të vjetra e ndotëse me qymyr të kohës jugosllave. Kjo nuk është zgjidhja për sigurinë tuaj të ardhshme energjetike dhe kjo qeveri ka qenë duke punuar në një strategji për energji – me mbështetjen tonë dhe të tjerëve – dhe me të drejtë do të përpiqet të shtojë llojshmërinë e burimeve energjetike, të investojë shumë në burimet e ripërtëritshme dhe të krijojë infrastrukturë më të qëndrueshme të energjisë. Na vjen mirë që mund të ndihmojmë dhe ishim të lumtur kur qeveria e Kosovës miratoi programin Kompakt të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, i cili përgjatë një periudhe pesëvjeçare do të ndihmojë në transformimin e sektorit të energjisë me burime të shumëllojshme, që është më i qëndrueshëm dhe që përfshin regjionalizimin. Edhe USAID-i po punon, në afat të shkurtër dhe të gjatë, për të mbështetur regjionalizimin dhe shumëllojshmërinë e burimeve. Por, ky dimër do të jetë i vështirë për të gjithë ne dhe mendoj se është e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm. A ka mënyra për të kursyer individualisht? A ka mënyra që institucionet tona të kursejnë? A mund ti mbështesim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për zvogëlimin e sasisë së energjisë që do ti duhet të përpiqet ta importojë, e cila do të jetë me kosto shumë të lartë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!