×
  • Lajme
  • Lajme

    Arben Gashi flet si Kryeministër, thotë se taksa hiqet e reciprociteti vendoset

    Reporteri
    18 Shkurt 2020 | 16:46

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka folur si të ishte Kryeminstër. Në një tryezë diskutimi me organizata të shoqërisë civile, ai ka ritheksuar se tarifa ndaj produkteve serbe do të hiqet dhe do të zëvendësohet me masa reciproke ndaj Serbisë.


    Gashi ka shtuar se, reciprociteti nuk është veprim aktiv apo agresiv, por është një përgjigjje ndaj veprimeve të Serbisë.

    “Thekse nga fjala e mbajtur në tryezën e organizuar nga KDI, me temën “Dialogu Kosovë –Serbi” Tarifa do të hiqet dhe do të zëvendësohet me masa reciproke ndaj Serbisë”, ka shkruar Gashi teksa ka vazhduar.

    “Reciprociteti nuk është veprim aktiv apo agresiv, por reaktiv – është një përgjigjje ndaj veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës, që do të thotë se nëse Beogradi zyrtar nuk vendos barriera ndaj Kosovës, as Prishtina zyrtare nuk do të vendosë barriera ndaj Serbisë. Reciprociteti në marrëdhënie bilaterale me Serbinë është minimumi i dinjitetit shtetëror për të cilin Kosova do të insistojë. Kështu, ne do të përmbushim një zotim tonin parazgjedhor por edhe do të respektojmë një kërkesë eksplicite të aleatëve tanë perëndimorë, me theks të veçantë të SHBA’së, si parakusht që ajo të fasilitojë dialogun”, ka thënë Gashi.

    Shefi i Grupit Parlamentar, Gashi ka potencuar dy parime mbi të cilat duhet të zhvillohen në dialogun me Serbinë.

    “Dialogu që rezulton me njohjen e ndërsjellë mes të dy vendeve, mbi të gjitha është interes i Kosovës, dhe ne jemi të përkushtuar që ky process të përfundoj sa më shpejtë. Por, kjo nevojë nuk nënkupton që duhet të ngutemi e të përfundojmë me zgjidhje të keqe të çështjes. Ashtu siç e ka thënë edhe Qeveria, si bartëse e këtij procesi, dialogu duhet të ndërtohet mbi disa parime të pajtuara, për të cilat ne si Kuvend, Qeveria, opozita, por edhe shoqëria civile dhe akademia, duhet të pajtohemi. Dy parimet kryesore mbi të cilat duhet të pajtohemi të gjithë janë:
    • Nuk diskutohen kufijtë, as të Kosovës, as të Serbisë
    • Nuk diskutohet rendi kushtetues i Kosovës. Duke hequr tarifën tregtare dhe vendosur reciprocitetin, ne, dëshmojmë se jemi partner serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe i japim shansin e kërkuar dialogut me fqinjin tonë verior”, ka përfunduar Gashi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!