×
  • Lajme
  • Lajme

    BBC raporton për shpërthimin në spitalin e Tetovës

    Reporteri
    09 Shtator 2021 | 8:38

    Të paktën 10 persona kanë vdekur nga një zjarr në një spital që trajtonte pacientë me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Për këtë ngjarje ka raportuar edhe mediumi britanik, BBC, që ka shkruar se pamjet e shpërndara në mediat sociale shfaqnin një ndërtesë në flakë dhe një re të trashë tymi të zi që dilte në ajër pranë një rruge kryesore në qytetin e Tetovës.


    Raportohet se zjarrfikësit e kanë shuar zjarrin për më pak se një orë pasi shpërtheu rreth orës 21:00 me orën lokale, të mërkurën. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet.

    “Kjo është një ditë shumë e trishtë. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve,” shkroi ai në Twitter, duke shtuar se disa pacientë ishin transportuar me urgjencë në një spital në Shkup.

    Ai e përshkroi zjarrin si një aksident të tmerrshëm, por nuk dha detaje të tjera, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

    Kurse kryeministri, Zoran Zaev, tha se zjarri ishte shkaktuar nga një shpërthim dhe se një hetim ishte duke u zhvilluar.

    “Kjo është një ngjarje vërtet tragjike. Shkaku i zjarrit do të përcaktohet” tha ai në një postim në Facebook.

    Është e paqartë se sa pacientë po trajtoheshin në qendrën në Tetovë kur ndodhi incidenti. Objekti i përkohshëm thuhet se është ndërtuar vitin e kaluar për të trajtuar njerëzit e sëmurë rëndë nga koronavirusi.

    Maqedonia e Veriut ka një popullsi prej rreth dy milion njerëz. Vendi ka raportuar më shumë se 180,000 raste të COVID-19 dhe 6,153 vdekje që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!