×
  • Lajme
  • Botë / Dita e Fitores

    Ngujimi i Putinit në të kaluarën

    Reporteri
    09 Maj 2024 | 16:56

    Parada e përvitshme ushtarake në “Sheshin e Kuq” të Moskës dukej krejt ndryshe sivjet.

    Dhe jo veç për shkak të stuhisë pranverore, shkruan BBC.

    Ishin diku 9 mijë persona që marshuan në shesh. Duken shumë. Mirëpo në vitet e mëparshme – para pushtimit rus të Ukrainës – numri zakonisht ishte edhe më i madh.

    Kishte edhe më pak pajisje ushtarake sot. Vetëm tanket T-34 u prezantuan. Në paradën ushtarake kishte plot referenca të luftës ruse në Ukrainë. Shumë pjesëmarrës ishin ushtarë që kanë luftuar në tokën ukrainase, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    “Shënojmë Ditën e Fitores në kohën kur ne po vazhdojmë Operacionin special ushtarak”, ka thënë Putini në fjalimin e tij. “Ata që janë në frontin e luftës janë heronjtë tanë”.

    Në ditët e fundit, Rusia ka akuzuar shtetet perëndimore, përfshirë Britaninë dhe Francën, për kërcënim të Rusisë. Presidenti Emmanuel Macron nuk e ka përjashtuar mundësinë që të dërgojë trupa tokësore në Ukrainë.

    Të enjten Putini dha edhe një tjetër paralajmërim. Shoqëruar nga kërcënimet me luftë bërthamore.

    “Rusia do të bëjë gjithçka për të shmangur konfrontimin botëror. Por në të njëjtën kohë, ne nuk do të lejojmë të na kërcënojnë. Forcat tona strategjike janë gjithmonë në gatishmëri”, ka shtuar presidenti autoritar.

    Nën regjimin e Putinit, Dita e Fitores është shndërruar në festën më të rëndësishme të Rusisë.

    Është ditë përkujtimore, jo vetëm për fitoren e sovjetikëve kundër nazistëve, por edhe për çmimin e lartë që pagoi për atë fitore. Më shumë se 27 milionë shtetas sovjetik janë vrarë në atë që tani njihet si Lufta e Madhe Patriotike.

    Mirëpo Dita e Fitores nuk është vetëm për të kaluarën. Është edhe për Rusinë e ditëve të sotme.

    Nëse shteti i sotëm ka idenë kombëtare, është ideja e fitores. Rusëve vazhdimisht u mësohet se përgjatë historisë shteti i tyre është sulmuar nga armiqtë e jashtëm – si Napoleoni dhe Hitleri – dhe ka dalë fitues.

    Në Rusinë e sotme autoritetet jo vetëm që përkujtojnë të kaluarën. Ata po e armatosin atë për të arsyetuar të tashmen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!