×
  • Lajme
  • Lajme

    Çitaku pas raportimeve për incidentet në veri: Fol Kryeministër, a po kalon Serbia?

    Reporteri
    06 Dhjetor 2022 | 16:16

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas raportimeve për incidentetet në veri, ndërsa ka thënë se Qeveria po e mban vendin në terr informativ, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Çitaku gjithashtu përmes një statusi në Facebook i ka parashtruar disa pyetje Kurtit: “A ka pasë eksplodime”, “Fol Kryeministër, a po kalon Serbia?”.

    “Qeveria po na mbanë në terr informativ. Lajmet e vetme për zhvillimet në veri të vendit po I marrim nga mediat. Kryeministër çka po ndodhë? A ka pasë eksplodime ? A ka pasë ndjekje të personelit të KQZ-së? Fol Kryeministër, a po kalon Serbia?”, ka shkruar Çitaku.

    REL raportoi se dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

    Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal në Zubin Potok.

    Edhe në Mitrovicën e Veriut – po ashtu të banuar me shumicë serbe – u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.

    Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se janë në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare.

    Sipas Elezit, një gjë e tillë nuk u bë e mundur, dhe pas kësaj situate të krijuar në Veri, sot KQZ ka thirrur mbledhje në ora 18:00.

    “Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, tha Elezi./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!