×
  • Lajme
  • Lajme

    Dëshironte të bëhej ministre, dialogu me Serbinë dhe Vjosa Osmani nuk ishin arsye se pse Donika Kadaj nuk votoi Qeverinë

    Reporteri
    03 Qershor 2020 | 19:25

    Donika Kadaj Bujupi nuk ishte sot në sallën e seancave të Kuvendit të Kosovës, kur kolegë të saj në parti u votuan për ministra në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së. Ajo tha se janë mospajtimet politike me Hotin arsyet që nuk votoi. Por, gjërat duket se janë ndryshe, shkruan Reporteri.


    Qëndrimi i Avdullah Hotit karshi dialogut me Serbinë dhe fakti që LDK-ja nuk e nominoi Vjosa Osmanin në vend të tij, u përmenden nga deputetja Donika Kadaj Bujupi si arsyet kryesore që e kanë shtyrë atë të mos marrë pjesë fare në seancën për votimin e Qeverisë, pjesë e të cilës është edhe partia e saj, Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës.

    “Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore. Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë. Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”, ka shkruar Kadaj Bujupi pas seancës.

    Por gjërat nuk janë në realitet kështu, bëjnë me dije burime të sigurta nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    Arsye kryesore në fakt është synimi i saj për të qenë ministre.

    “Ajo ka kërkuar që të jetë ministre pasi ka konsideruar se gjatë ka shërbyer si deputete dhe meriton e para që të jetë ministre nga radhët e AAK-së. Që nga publikimi i emrave të ministrave tonë, siç e keni parë, nuk ka dalë as në publik, në intervista apo aktivitete”, ka thënë një zyrtar i lartë i AAK-së për Reporterin.

    Sipas këtij zyrtari, drejtuesit e partisë kishin diskutuar gjerë e gjatë me të dhe në dy ditët e fundit kishte pasur një qendrim të saj se do të votonte pro Qeverisë, por nuk ndodhi ashtu.

    “Jemi befasuar paksa sepse pritja dhe premtimet kanë qenë tjera, mirëpo ajo nuk erdhi”, ka thënë ky burim.

    Ky zyrtar ka deklaruar se partia do ta diskutoj qëndrimin e saj karshi qeverisë dhe vendimeve të AAK-së.

    Qeveria e LDK-AAK-NISMA dhe minoritetet mori vetëm 61 vota në Kuvend, aq edhe sa duhen ligjerisht. PDK me 24 deputetë votoi kundër e Fatmir Rexhepi nga LDK abstenoi. Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit dhe nënkryetare e LDK-së nuk mori pjesë fare në seancë. Seanca u bojkotua edhe nga Vetëvendosje. /Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!