×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet e parakohshme

    Edhe Tahiri flet për zgjedhjet, 9 qershori data e propozuar nga PDK-ja

    Reporteri
    28 Mars 2024 | 13:39
    Fotografi ilustruese nga arkivi.

    Partia Demokratike e Kosovës e ka propozuar 9 qershorin si datë për zgjedhje të parakohshme. Këtë e konfirmoi dje kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ndërsa sot ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri.

    Në seancën e jashtëzakonshme ku u diskutua për tenderët njëburimorë dhe u kërkua themelimi i komisionit hetimor lidhur me këtë çështje, janë përmendur edhe zgjedhjet.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se tashmë e kanë datën e zgjedhjeve, por se sipas tij, pushteti po u frikësohet.

    “PDK tashmë e ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo është 9 qershor, por marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

    9 Qershor, kreu i PDK-së ia propozon qeverisë datën e zgjedhjeve

    Diskutimi për zgjedhjet ka nisur pasi shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

    “Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

    Për zgjedhje ka folur edhe Driton Selmanaj i LDK-së. Ai ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

    “Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.

    Dështon themelimi i komisionit hetimor për tenderët njëburimor

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!