×
  • Lajme
  • Ekonomi / Ekonomi

    Banka Botërore pret rritje ekonomike në Kosovë e rajon

    Reporteri
    11 Prill 2024 | 12:04

    Banka Botërore (BB) ka thënë se pret rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024. Ka parashikuar përshpejtim të rritjes edhe për vitin 2025, në mënyrë që rajoni, ku përfshihet Kosova, të arrijë normat mesatare të regjistruara para pandemisë, raporton Reuters, përcjell Reporteri.net.

    Sipas Bankës Botërore, aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet këtë vit në 3.2 për qind, që është 0.2 pikë përqindje më shumë sesa parashikonte Banka Botërore në raportin e mëparshëm, dhe më pas rritje në 3.5 për qind në vitin 2025.

    Për të kapërcyer hendekun në aspektin e zhvillimit që e ndan nga Bashkimi Evropian dhe për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve, ky rajon duhet të vazhdojë zbatimin e reformave, ka thënë BB-ja.

    Kjo nënkupton rritje të investimeve në gjelbërimin e qyteteve, gjë që do t’u mundësojë vendeve të kontribuojnë në mënyrë më efektive në zhvillimin ekonomik në tërësi, thuhet tutje në raportin e Bankës Botërore.

    Projeksionet individuale për gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi janë përfshirë në Raportin Ekonomik të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, i cili u publikua sot.

    Drejtoresha për rajonin e Ballkanit Perëndimor në Bankën Botërore, Xiaoqing Yu, ka thënë se pas disa vitesh turbulencash të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe kriza energjetike, ka sinjale inkurajuese që rritja ekonomike të kthehet në nivelet e para pandemisë, ndërsa pritet vazhdim i rënies së varfërisë në rajon.

    Sipas saj, progresi i deritanishëm është ende i pamjaftueshëm për të kënaqur ambiciet e qytetarëve dhe për të rritur standardin e jetesës në nivelin e arritur nga vendet e Bashkimit Evropian.

    Shaoqing theksoi se Plani i ri i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor paraqet mundësi për të inkurajuar zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht në ekonominë e gjelbër.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!