×
  • Lajme
  • Lajme

    EULEX për Reporteri: Simmons po flet të pavërteta për Misionin pasi u hetua vetë e nuk ofroi kurrë fakte

    Reporteri
    12 Korrik 2021 | 17:25

    Autor: Mirlind Behluli


    Sot Malcolm Simmons, ish-gjyqtar në EULEX, u rrëfye para deputetëve të Kuvendit. Në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, ish-punëtori i misionit të BE-së për sundim të ligjit hodhi akuza të ashpra kundrejt EULEX-it duke thënë se atij i ishte kërkuar të dënoheshin ish-ushtarët e UÇK-së që po gjykoheshin në rastin Kleçka e Drenica. Tutje, ish-gjyqtari tha se EULEXI i dorëzoi dokumente palës serbe sa ishte pjesë e këtij misioni. Por të gjitha këto akuza i ka mohuar EULEX, nëpërmjet një deklarate për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.


    Në një përgjigje të gjatë për Gazetën Online “Reporteri.net”, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, i kanë cilësuar deklaratat e sotshme të ish-gjyqtarit të tyre Malcolm Simmons në Kuvend si një përmbledhje e të pavërtetave.

    “Deklarata e Malcolm Simmons e dhënë sot në Kuvend është një koleksion i hamendësimeve të pamenduara dhe të pabazuara, të pavërtetave dhe mendimeve personale. Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, meqë deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar, ai është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkelje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

    Tutje misioni i BE-së në Kosovë, këto deklarata të Simmons i ka konsideruar si përpjekje për të diskridituar EULEX-in dhe vet Bashkimin Evropian.

    Kjo sipas tyre, si reflektim i pakënaqësisë së tij për tre hetimeve që u kryen nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja ndaj ish-gjyqtarit.

    “Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vet BE-së. Kjo po ashtu është pasqyrim i pakënaqësisë së Simmons me rezultatin e tri hetimeve që janë kryer kundër tij nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe që i janë dorëzuar autoriteteve deleguese të Mbretërisë së Bashkuar (MB) për veprime të mëtejme. Simmonsi po ashtu është dukur i pakënaqur me hedhjen poshtë nga ana e gjykatës së MB të një padie civile që ai e parashtroi kundër Misionit dhe institucioneve të tjera të BE-së në vitin 2020. Thënë shkurt, ai është i pakënaqur me të gjitha procedurat juridike kundër tij”, deklaron EULEX në përgjigjen e tyre për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    EULEX thotë se Simmons nuk bashkëpunoi me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kur iu dha mundësia për t’u deklaruar për këto akuza gjatë vitit 2017. Madje sipas EULEX-it, ish-punonjësi i tyre nuk ofroi asnjë evidencë për deklaratat e tij.

    Ndërkaq për pretendimet e Simmons rreth çështjes “Kleçka”, EULEX deklaron se ato i kundërshton realiteti i vendimeve gjyqësore.

    Sipas tyre ishte vet Simmons që kishte gjykuar rastin “Kleçka” ku përfshihej Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s, i cili akuzohej për krime lufte.

    “Rasti “Kleçka”: Pretendimet e Simmons për rastin “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se vendi i tij i punës mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Megjithatë, pasi që trupi gjykues, i kryesuar nga Simmons, i liroi nga akuza të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën e tij, por vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë. Por ai ishte ai që gjykoi rastin si kryesues i trupit gjykues. Si i tillë, ai pati çdo mundësi ta shpëtonte veten e tij nëse ai nuk do të pajtohej me paraqitjen e rastit në gjykatë.”, shton EULEX.

    Në përgjigjen e tyre, EULEX flet edhe për rastin “Drenica II”, paneli i së cilës çështje sipas tyre ishte e ligjshme dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në nëntor të 2019 thotë t’i hedh poshtë të gjitha pretendimet e paragjykimet e Simmonsit ndaj trupit gjykues të shkallës së parë.

    EULEX i ka hedhur poshtë akuzat e Simmons se misioni ka dorëzuar shkresa të gjykimeve të krimeve të luftës Prokurorisë Serbe.

    “Në lidhje me pretendimet se EULEX-i ua dorëzoi dosjet e rasteve autoriteteve të prokurorisë serbe: Ne e përsërisim se: EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore”, thotë EULEX për Reporteri.net.

    Në fund të përgjigjes së gjatë EULEX thotë se gjithnjë i ka hetuar me prioritet akuzat për shkelje dhe në disa raste të limituara ka shqiptuar dënime për punonjësit e tij. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!