
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është shprehur i shqetësuar me zhvillimet e djeshme në veri të Kosovës.
Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, shkruan Reporteri.net.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për faktin se për momentin nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar Hovenier.
Reagimi i Hovenier vjen pas incidenteve të njëpasnjëshme që ndodhën në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut dje, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Policia tha se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar, dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës.
Sipas këtij institucioni, në këto incidente janë përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Sulmet ndodhën në ditën kur zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor shkuan në veri për t’u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Reagime pati kryeministrin Albin Kurti, i cili paralajmëroi shtim të forcave policore në veri, ndërsa fajësoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq për orkestrimin e tyre.
Nga KQZ sot kanë thënë se pavarësisht incidenteve do të vazhdojnë përkushtimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë pjesë të vendit. /Reporteri.net