×
  • Lajme
  • Lajme

    Ia mori burri kur u ndanë, nëna kosovare bashkohet me fëmijët e saj pas tetë vjetësh

    Reporteri
    12 Tetor 2019 | 21:19

    Për rastin kishin njohuri autoritetet kosovare e gjermane. Bytyqit ia kishte marrë burri fëmijët vite më parë.


    Pritja e Hana Bytyqit për t’i parë fëmijët e saj mori fund.

    43-vjeçarja për më shumë se 8 vjet nuk i kishte dëgjuar e as nuk i kishte parë djalin dhe vajzën e saj, raporton T7.

    Thoshte se ata ia rrëmbeu ish- burri i saj nga Qyshku i Pejës.

    Në një bisedë telefonike me televizionin T7, Bytyqi tha se pasi ishte ndarë me burrin, ai kishte marrë fëmijët nga ajo.

    Bytyqi, e cila jeton në Gjermani, kishte paraqitur rastin para autoriteteve në të dy vendet, por u desh një kohë e gjatë që pritjet e saj të kenë rezultat.

    T7 muaj më parë kishte raportuar për rastin, ndërkohë që nga Prokuroria Themelore e Pejës kishin konfirmuar atë duke shtuar se janë në fazën e rigrumbullimit të fakteve.

    Megjithatë duket se ankthi 8-vjeçar tanimë ka marrë fund për Bytyqin, e cila kërkonte në cdo formë të ritakonte fëmijët.

    E kjo më në fund ndodhi.

    Nën përcjelljen e mediumit gjerman RTL, Hana Bytyqi më në fund u takua me fëmijët e saj.

    Madje, për rastin u realizua edhe një dokumentar nga televizioni gjerman.

    E emocionet nuk kishin si të mungonin.

    Me gjasë, ritakimin e kishin të vështirë edhe fëmijët.

    Siç raporton mediumi gjerman, njëri nga fëmijët fillimisht nuk kishte pranuar të shkojë në Gjermani.

    Fëmijët e saj janë 13, përkatësisht 11-vjeçar.

    Nga Prokuroria kanë thënë se rasti po vazhdon të hetohet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!