×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestohet një polic, dyshohet se bëri tregti të ndaluar

    Reporteri
    13 Gusht 2020 | 9:51

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “tregti e ndaluar”.


    IPK thotë se i dyshuari me veturë është ndaluar nga hetuesit në mbrëmjen e djeshme  në Prishtinë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë të njëjtit i është bërë kontrolli i veturës.

    Gjatë kontrollimit të veturës nga hetuesit e IPK-së janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht gjësende të ndryshme si: mallra të tekstilit, para dhe gjësende të tjera.

    “Edhe vetura me të cilën është bërë transporti i mallrave është sekuestruar si dhe gjatë kontrollit janë identifikuar vende të fshehta brenda veturës e që dyshohet se janë përdorur për fshehjen e mallrave”, thuhet në njoftim.

    IPK thotë se ka ftuar edhe njësitë e specializuara të Doganës së Kosovës për sekuestrimin e mallrave që dyshohet se janë përdorur për tregti të ndaluar.

    “Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, njofton IPK. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!