×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-kryediplomatja kosovare: Nëse Kurti e refuzon shtyrjen për targat, na çon drejt zgjedhjeve të reja

    Reporteri
    20 Tetor 2022 | 21:17

    Ish-ministrja për Punë të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se është koha vendimtare kur kryeministri Albin Kurti do të vendos nëse do ta pranojë marrëveshjen me Serbinë apo thjesht do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

    Sipas Haradinaj-Stubllës, vendimtar do të jetë vendimi i Kurtit për ta shtyrë ose jo çështjen e targave që skadon në fund të tetorit.

    Ajo ka përmendur lansimin e videove të fundit nga Vetëvendosje, si sulme mbi partitë e opozitare, si sinjal që Kurti është i gatshëm edhe për opsionin e zgjedhjeve të reja.

    “Është simptomatike sepse në të njëjtën kohë kur skadon marrëveshja për targat dhe kur kërkohet një përgjigje formale nga ai, kemi lansimin e videove që e sulmojnë opozitën. Kemi një mesazh, sinjal kontradiktor që vjen nga kryeministri, të cilin duhet ta shohim se nëse e pranon shtyrjen e vendimit për targat, ai i pranon marrëveshjet”, ka thënë ajo.

    “Nëse e refuzon shtyrjen për targat, ai po na çon drejt zgjedhjeve të reja”, ka shtuar ish-ministrja në emisionin Pressing të T7.

    Pronarët e makinave me targa që i lëshojnë autoritetet serbe, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as të kalojnë kufirin pas 31 tetorit. Kjo është data kur kalon afati i vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave në RKS – Republika e Kosovës.

    Ndërkohë, i dërguari special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Qeverisë së Kosovës i ka kërkuar shtyrjen e vendimit për targat për rreth 10 muaj, mirëpo në kërkesën e tij nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga kryeministri Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!