×
  • Lajme
  • Lajme

    Këshilltari i Presidentit i drejtohet Osmanit: Je bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së

    Reporteri
    12 Mars 2020 | 19:10

    Këshilltari i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, ka reaguar pas deklaratave të kryeparlamentares Vjosa Osmani, se bashkë me taksën duhet të hiqet edhe presidenti.


    Behramaj ka ironizuar me Osmanin, duke thënë se e paska sosur t’i japë fund karrierës së saj, sepse atë tërësisht e ka ndërtuar si shushunjë politike rreth e rrotull Hashim Thaçit.

    Ai ka thënë se Osmani është bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së.

    “Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila është bërë si katapultë e Vetëvendosjes brenda LDK-së, paska thënë se bashkë më tarifën duhet të hiqet edhe presidenti. E paska sosur e gëzuara t’i japë fund karrierës së saj, të cilën e ka ndërtuar si shushunjë politike rreth e rrotull Hashim Thaçit.

    Në atë moment që presidenti e lë politikën, rrafsh gjysma e Kuvendit dhe Qeverisë, përfshirë këtu edhe krerët e këtyre dy institucioneve, mbesin pa karrierë politike.

    Pra, askush nuk i mban mend këta për ndonjë vizion apo ide politike, por vetëm për vrerosje kundër Hashim Thaçit.

    E ardhmja e tyre politike është e vdekur pa të. Ti njëmend Vjosë mbahesh mend edhe për diçka tjetër.

    Ish-presidenti Fatmir Sejdiu është presidenti i vetëm në botë që nuk e ka një fotografi të vetme me presidentët amerikanë, pa iu ngjitur prapa edhe ti si fusnotë.

    Por, në një ditë të bukur, ia ktheve edhe atij shpinën. Madje, duke mos i folur më fare. Më pas nise edhe flirtin e ri politik, duke iu vardisur Isa Mustafës.

    Megjithatë, as me të nuk të zgjati shumë. Në ditën kur votohej Isa Mustafa për kryeministër, ngrite dorën kundër para syve të tij. U përpoqe edhe ta rrëzoje nga posti i kryetarit. Tash dalëngadalë po heq dorë edhe nga LDK-ja, duke u bërë tërësisht një rrodhëz e Vetëvendosjes.

    Dje partneri yt i ri politik, i cili u mundua të thotë diçka për pozicione ekstreme pa reflektuar fare për ekstremizmin e deritashëm të tij, pa u konsultuar fare as me LDK-në, me pafytyrësi ekstreme të caktoi ty edhe si bashkënegociuese nga radhët e LDK-së në dialog.

    Por, ai, ti dhe kushdo tjetër që mendon se mund të japë kontribut, ngutuni se po ua ruajmë edhe disa vende të lira në “rimorkio”, se ky vend e ka timonierin!”, ka shkruar Behramaj./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!