×
  • Lajme
  • Lajme

    KFOR-i është i gatshëm për çdo lloj aksioni

    Reporteri
    20 Korrik 2019 | 8:10

    Linjat e hapura të komunikimit janë prioritare në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Kështu thotë komandanti suprem i Forcave të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Tod Wolters, i cili këtë javë qëndroi për vizitë në Kosovë.


    Në një intervistë për gazetën KohaDitore, dhënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, të enjten, gjenerali Wolters thotë se përshtypja e tij për situatën në Kosovë është se mbretëron qetësia, dhe shprehet i kënaqur me përmbushjen e misionit të KFOR-it, që është mbajtja e një ambienti të qetë e të sigurt.

    I pyetur nëse Serbia paraqet kërcënim për Kosovën, gjenerali amerikan thotë se nuk është i sigurt nëse do ta kishte karakterizuar situatën ashtu, por thekson se situata në terren është e qetë dhe linjat e komunikimit mes KFOR-it dhe Beogradit janë të hapura për çdo eventualitet.

    I pyetur edhe rreth kërcënimit të mundshëm rus, gjenerali Wolters flet për gatishmërinë e KFOR-it dhe të NATO-s që të përgjigjen ndaj të gjitha sfidave të tilla, të cilat ai duket se i sheh kryesisht në segmentin e dezinformimit dhe të propagandës.

    Por ai shprehet i qartë në lidhje me çdo lloj kërcënimi që mund t’i shfaqet Kosovës.
    “KFOR-i është i gatshëm, i vullnetshëm dhe i aftë të adaptohet dhe të punojë kundër çdo lloj aksioni potencial të ndryshëm që mund të ndodhë në rajon”, thotë gjenerali Wolters, i cili erdhi në postin në krye të forcave të NATO-s vetëm para dy muajsh.

    Në intervistë, gjenerali Wolters foli edhe për procesin e transicionit të FSK-së, për ndikimin që ka dialogu Kosovë-Serbi në misionin e KFOR-it, si dhe për të ardhmen e misionit paqeruajtës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!