×
  • Lajme
  • Lajme

    Krasniqi në Drenas: Qeveria merr vendim për ujin në kafiteri, ndërkaq nuk u siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë

    Reporteri
    06 Korrik 2022 | 18:53

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Drenasit, ku është pritur nga kryetari Ramiz Lladrovci.

    Gjatë kësaj vizite, Krasniqi dhe Lladrovci kanë vizituar disa projekte të cilat janë në zhvillim e sipër në Komunën e Drenasit me buxhet vetanak të Komunës.

    “Në vazhdën e vizitave të mija nëpër komunat e Kosovës, sot kisha kënaqësinë që të vizitoj Drenasin. Së bashku me Kryetarin Lladrovci kishim takime dhe diskutime të shumta, por edhe vizita të projekteve të cilat tashmë janë duke u zbatuar. E përgëzoj Kryetarin Lladrovci dhe ekipin e tij për këto projekte, përkundër sfidave që i kanë. Posaçërisht nga mungesa e mbështetjes nga Qeveria qendrore.”, ka thënë Krasniqi.

    Ai tha se të gjitha këto punime të cilat i kanë vizituar, janë punime që janë bërë me buxhetin e komunës dhe me grantin e performancës së mirë që është fituar nga Kryetari Lladrovci në të kaluarën dhe tash.

    “Është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie karshi Komunave të Kosovës, sepse ato janë dera e parë e qytetarëve tanë. Për të përmiërsuar shërbimet dhe mirëqenien e tyre, Qeveria duhet të ndihmojë komunat me mjete shtesë. Ju e patë që kanë projekte tejet të rëndësishme, urat të cilat e lehtësojnë qarkullimin e fëmijëve dhe të gjithë njerëzve. Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, projekt që nuk e ka mbështetur kjo Qeveri. Po ashtu edhe projekti që ndërlidhet me ujësjellësin. Kur jemi te uij, si një nevojë bazike, përderisa Qeveria e Kosovës merr vendime që të obligojë gastronomët që tu shërbejë ujë nga kroji qytetarëve që pijnë kafe, në anën tjetër, këtu në Drenas, e njëjta Qeveri, nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune e kanë këtë problem në baza ditore.”, ka thënë Krasniqi.

    Lladrovci ka falënderuar Krasniqi për vizitën dhe mbështetjen e tij për të shtyrë përpara projektet në të mirë të qytetarëve të Drenasit.

    “Së bashku me Kryetarin vizituam tri projekte në komunën tonë të cilat ajën duke u zhvilluar aktualisht. Nga vërshimet e fundit në Drenas janë shkatërruar disa ura, prandaj ne jemi duke i ndërtuar disa dhe riparuar disa të tjera. Po ashtu, jemi duke shtuar kapacitetet e ujësjellësit në komunën tonë. Ndërkaq, aktualisht jemi në vendin ku po ndërtojmë kolektorin e ujërave të zeza. Shumë shpejtë ne do të jemi komuna e parë që kena me i largu ujërat e zeza nga lumenjtë. Shumë projekte të tjera kanë ngecur për shkak të mosfunksionimit të OSHP-së, por besoj tani do zhvillohen më mirë.”, ka thënë Lladrovci.

    Kjo ishte vizita e radhës e Kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, në turin e tij të vizitave nëpër komunat e Kosovës dhe ofrimit të mbështetjes politike për qeverisjen në të mirë të qytetarëve të tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!