×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryeministri Kurti tregon se çka i dha Kosovës në këto dy vjet qeverisje

    Reporteri
    22 Mars 2023 | 22:51
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shënuar dy vjetorin e ardhjes së tij në karrigën e Qeverisë, me një rend postimesh për arritjet që thotë se ia ka siguruar Kosovës këto dy vitet e fundit.

    Rendin e postimeve, Kurti e nisi me mbulimin që ia ka bërë pandemisë Covid-19, që ai e gjeti në pikë shpërthim e sipër kur erdhi në pushtet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Këtu, teksa komentoi gjendjen në të cilën e gjeti vendin, kryeministri Kurti përmendi edhe rritjen enorme të inflacionit. Ai tha se iu desh që të përmirësonte gabimet e qeverive paraprake.

    “Ia dolëm”, shkroi Kurti.

    “Dy vjet më parë, sot, qeveria jonë mori detyrën mes një shpërthimi të shfrenuar të COVID-it. Më vonë u përballëm me një rritje të çmimeve të energjisë dhe inflacionit për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Na u desh të përmirësonim gabimet e shumta të qeverive të kaluara, të luftonim ngjarje të paprecedentë dhe të krijonim shtigje të reja. Ia dolëm”, shkroi ai në Twitter.

    Në vazhdim, shefi i ekzekutivit listoi ato të cilat ai i konsideron arritje gjatë qeverisjes së tij.

    “Ne kishim zero vaksina kur morëm detyrën. Në më pak se një vit i siguruam dhe vaksinuam 60% të popullsisë”.

    “Ekonomia jonë kaloi nga tkurrja me 5.3% në 2020 në rritje me 10.7% në një vit”.

    Si rezultat i qeverisjes së mirë dhe masave kundër korrupsionit, tha Kurti, “buxheti vjetor u rrit me 760 milionë; të ardhurat nga taksat u rritën me 20% pa rritje të normave”, ndërsa “investimet e huaja arritën në 772 milionë rekord”.

    I njëjti tha se demokracia është në qendër të Qeverisë Kurti, ndaj përmendi edhe ndihmat që u janë bërë qytetarëve.

    Rritja e ndihmës sociale me 30% për familjet, ndihmë financiare për 66 mijë studentë, si dhe mbështetja ndaj fermerëve u konsideruan si më të rëndësishmet në këtë aspekt, nga kryeministri Kurti.

    Albin Kurti, detyrën e tij si kryeministër i vendit e mori përsipër zyrtarisht më 23 mars, 2021. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!